Maqedoni

Tragjedia në Koçan, në hetim 27 persona fizik, 3 juridik

21.03.2025 15:33

Prokuroria Themelore në Koçan ka hapur hetim kundër 27 personave fizik dhe 3 personave juridik...

Prokuroria Themelore në Koçan ka hapur hetim kundër 27 personave fizik dhe 3 personave juridik të dyshuar si bashkëveprues për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenit 288 të Kodi Penal. Për tre persona që janë të hospitalizuar prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim. Deri në këto momente Gjykata Themelore në Koçan ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditorë për 16 të dyshuar, ndërsa për 8 të tjerë seancat gjyqësore janë në vijim e sipër. Sipas Kryeprokurorit Lupço Kocevski, të dyshuarit në periudhë prej vitit 2012 deri në ditën e ngjarjes tragjike nuk kanë vepruar në pajtueshmëri me masat për mbrojtje dhe me këtë kanë shkaktuar rrezik për jetën, trupin e njerëzve dhe pronës në përmasa të mëdha. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e lëshimeve zinxhirë dhe veprimeve kundërligjore të personave përgjegjës dhe zyrtarë shtoi Kocevski. 
 
“Të gjithë të dyshuarit në periudhën nga viti 2012 deri më 16.03.2025, bashkërisht por secili për nga kapaciteti, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar fare sipas rregulloreve për masat mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën, trupin e njerëzve dhe pronën në përmasa të mëdha. Lëshimet zinxhirore dhe veprimet e kundërligjshme të përgjegjësve dhe zyrtarëve kanë bërë që gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike më datë 16.03.2025 gjatë performancës së grupit muzikor DNK në kabarenë "PULSE" në Koçan, është shkaktuar zjarri në të cilin kanë humbur jetën 59 persona, prej tyre 6 fëmijë, ndërsa 195 të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve 192 fëmijë.”, theksoi Kryeprokurori Lupço Kocevski.
 
Mbrëmë janë arrestuar edhe 3 kryetarët a Komunës së Koçanit për mos kryerjen e obligimeve të tyre ligjore nga viti 2012. Nga Ministria e Ekonomisë deri në këtë moment të dyshuar janë ish ministër, ish sekretar shtetëror, udhëheqës sektori, udhëheqës departamenti dhe bashkëpunëtor i ri, të cilët edhe aktualisht punojnë në Ministrinë e Ekonomisë por në pozita të tjera që sipas Kocevskit me licenca i kanë mundësuar kryerjen e veprimtarisë hotelierike - kabare. Ndërsa inspektorët e tregut që nga viti 2020 nuk kanë kryer kontrollë në kabarenë "Pulse" ku ndodhi tragjedia.
 
“Tre të dyshuarit, kryetarë të komunës së Koçanit në periudhë nga viti 2012 deri më 16.03.2025 si dhe dy ish drejtorët e dyshuar të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim nuk I kanë kryer obligimet e tyre juridike në bazë të ligjit për mbrojtje dhe shpëtim me çka kanë mundësuar kabare "Puls"në mënyrë të paligjshme të vazhdojë me kryerjen e veprimtarisë hotelierike në kundërshtim me ligjin për veprimari hotelierike dhe kushtet e tjera të parapara me ligj... Ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe tre inspektorët zyrtarë, edhe pse kanë qenë të detyruar të kryejnë inspektime, nuk kanë kryer detyrën zyrtare dhe në periudhën prej datës 09.01.2020 deri më 16.03.2025 asnjëherë nuk kanë ushtruar kontroll mbi funksionimin e personit juridik.”, tha Kocevski.
 
Sipas prokurorisë, personi përgjegjës i koncertit në bashkëpunim me pronarin dhe agjencinë e sigurimit të vetëdijshëm se objekti nuk i plotëson kushtet kanë organizuar koncert ku kanë mundësuar hyrjen e rreth 650 personave përfshi 31 të mitur në kundërshtim me ligjin. Personat përgjegjës nuk kanë penguar edhe futjen e mjeteve piroteknike ku është i dyshuar edhe një pjesëtar i grupit DNK. Nëse gjatë hetimit sigurohen dëshmi të reja në procedurë do përfshihen edhe persona të tjerë. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI