Maqedoni

Kurimi i pacientëve jashtë vendit, javën e ardhshme fillon kthimi i tyre

22.03.2025 14:25

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari me sqarime për gjendjen e shëndetësore të të shtruarve jashtë vendit...

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari me sqarime për gjendjen e shëndetësore të të shtruarve jashtë vendit nga lëndimet e mara në tragjedinë e Koçanit. Vetëm 6 prej tyre janë në gjendje kritike. 
 
“Lajm i mirë është se nëse ditën e parë, të dielën thamë se 20 janë në gjendje kritike, para dy ditëve thashë se 10 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, sot them se vetëm 6 janë në gjendje kritike. Të shpresojmë që ky numër të mos rritet me komplikim të pacientëve. Disa pacientë planifikojmë t’i kthejmë javës së ardhshme. Nga informacionet që kam 5 pacientë do të kthehen.”, u shpreh ministri i shëndetësisë Arben Taravari.
 
Për gjendjen dhe trajtimin e mëtutjeshëm të pacientëve që do t’i kthehen vendit, do të vendosin klinika dhe spitalet e kryeqendrës, tha Taravari.
 
Edhe ministri i jashtëm, Timço Mucunski, pret që javën e ardhshme të fillojë kthimi i pacientëve të parë të cilët po trajtohen jashtë vendit. Për mënyrën dhe organizimin e kthimit, Ministria e Jashtme do të vendosë në mbledhjen koordinative. Ripërsërit se shteti siguron përkrahje të plotë për shërimin e pacientëve, udhëtimin dhe akomodimin e familjarëve të tyre.
 
“Do t’i dakordojmë hapat dhe masat e ardhshme që duhet të ndërmerren për organizim adekuat të kthimit të të gjithë pacientëve që janë shëruar apo që do të vazhdojnë me trajtim në vendin tonë, përfshirë edhe kthimin e familjarëve të tyre. Gjatë javës së ardhshme do të fillojnë të kthehen pacientët e parë. Këto janë paralajmërimet që ne si Ministri e Jashtme i marrim në komunikim të drejtpërdrejt me spitalet ku janë të shtrirë pacientët, informacione të cilat po ashtu dërgohen edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.”, tha ministri i jashtëm Timço Mucunski.
 
Kryediplomati Mucunski paralajmëroi udhëtimin e tij në Budapest për t’i vizituar të lënduarit e tragjedisë nga zjarri, ndërkaq potencoi vizitën e deritanishme në gjashtë spitale në vendet ku janë shtrirë të lënduarit.  Njofton se momentalisht 116 pacientë po shërohen në 14 vende evropiane. Për 38 prej tyre trajtimi është siguruar në bazë të mekanizmit për mbrojtje civile të BE-së ndërsa pjesa e tjetër e pacientëve kanë gjetur shërim nëpërmjet ndihmës bilaterale mes shteteve. MPJ mbetet e hapur për komunikim çdo moment përmes telefonit kujdestar ndërkaq aktiv janë edhe shërbimet komunikative të përfaqësive diplomatike me familjarët e pacientëve në vendet ku po kurohen, përfundon ministri Mucunski.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU