Ndihma për familjet e viktimave të Koçanit, Kryqi i Kuq: Gatishmëri e lartë për të ndihmuar
Për shkak të gatishmërisë të lartë për të ndihmuar familjet e viktimave nga zjarri në Koçan...

Për shkak të gatishmërisë të lartë për të ndihmuar familjet e viktimave nga zjarri në Koçan, aksioni humanitar do të vazhdojë të jetë i hapur edhe për dy javë të tjera, njoftoi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti. Ai u shpreh se deri në këto momente janë grumbulluar mbi 51 milion denarë, të cilat do të transferohen javën e ardhshme nëpër llogaritë bankare të familjeve.
“Sot dhe ditën e hënë do të bëhet grumbullimi i të dhënave personale të familjeve që kanë pësuar dhe besoj se gjatë javës tjetër, apo nga mesi i javës tjetër do të fillojmë me transferimin e të hollave. Aktiviteti i grumbullimit vazhdon edhe më tutje me mënyrat e mirënjohura deri tani dhe besoj se bazë të interesit që manifestohet do të ketë sasi shtesë të parave dhe në fazat tjera do t’u transferohen familjeve.”, tha sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
“Kemi një njoftim për pagesat nga pushteti vendor, si dhe nga ana e kompanive të ndryshme dhe sektorit koorporativ. Gjithashtu kemi informacione për pagesa prej jashtë vendit. Ka një interesim të madh për të ndihmuar këto familje.”, tha Suzana Tuneva-Paunovska nga Kryqi i Kuq.
Mucunski: Qeveria i mbulon të gjitha shpenzimet
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se Qeveria i mbulon të gjitha shpenzimet e personave që trajtohen jashtë vendit ose në Shkup. Ai thotë se shteti nuk do të lërë asnjë shpenzim pa mbuluar.
“Paraprakisht kishim rezervuar hotele, kemi blerë bileta avioni, njoftuam se do t`i mbulojmë harxhimet për telefon, marrin mëditje ditore. Gati të gjithë qytetarët janë përfshirë në komunikim të drejtpërdrejt me Ambasadat tona. Sigurojnë mbështetje logjistike, përkthime, komunikim me spitalet. Nuk është keq që qytetarët të ndihmojnë, por duhet ta dinë se shteti mendon për çdo harxhim. E gjithë logjistika dhe harxhimet e kthimit gjithashtu do të mbulohen nga shteti.”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Mucunski theksoi se e gjithë logjistika dhe shpenzimet për kthimin do të jenë edhe në kurriz të shtetit. Qeveria njoftoi se të gjitha familjet e prekura nga tragjedia fillimisht do të marrin nga 150 mijë denarë.
FARIJE DAUTI BAKIU
