Maqedoni
Hetim voluminoz për zjarrin në Koçan, të dyshuar 34 persona fizik dhe 3 juridik
22.03.2025 15:15
Gjithsej 34 persona fizik dhe 3 juridik dyshohen për zjarrin katastrofal që përfshiu diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan...

Gjithsej 34 persona fizik dhe 3 juridik dyshohen për zjarrin katastrofal që përfshiu diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan, në të cilën tragjikisht humben jetën 59 persona e mbi 190 të tjerë u lënduan. Një javë pas kësaj fatkeqësie, MPB dhe Prokuroria Themelore Publike kanë arritur të përfundojnë fazën parahetimore dhe tashmë kanë hapur procedurë hetimore kundër 27 personave fizik dhe tre personave juridik, ndërsa pas procedurave të para hetimore të dyshuar janë edhe shtatë nëpunës policor nga SPB Shtip dhe Koçan.
34 personave fizik dhe 3 juridik, u është parashtruar me nga dy padi penale për veprën penale sipas nenit 292 të Kodit Penal “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe nenit 288 “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa një person tjetër është paraqitur edhe për “marrje të ryshfetit, sipas nenit 357 të Kodit Penal. Nga ekzekutivi premtojnë se do të ketë hetim të shpejtë, efikas dhe efektiv.
“Prej momentit të parë të gjithë institucionet tona janë tërësisht të mobilizuara, organet hetuese po punojnë shpejt dhe efikas, pasi që qytetarët e meritojnë të vërtetën. Prioriteti ynë është i dyfisht, me integritet të tërësishëm të përfundojmë punën institucionale dhe të ndërmarrim masa urgjente me të cilën do të parandalojmë tragjeditë e tilla. Andaj në koordinim me të gjitha organet relevante po i përforcojmë masat e sigurisë, i përmirësojmë protokollet dhe po i zgjidhin të gjitha parregullsitë të identifikuara. Përgjegjësia nuk përfundon me fjalë, por me aksione.”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Kryeprokurori Lupço Koceski tha se të gjithë të dyshuarit prej vitit 2012 deri më 16 mars 2025, nuk kanë vepruar aspak në përputhje të dispozitave ligjore për masa mbrojtëse dhe me atë kanë shkaktuar rrezik për jetën, trupin e njeriut dhe pronës në përmasa të mëdha. Në bazë të provave të grumbulluara, Kocevski tha se zinxhiri i mos respektimit të dispozitave ligjore në fakt ka sjellë deri te zjarri katastrofal. 24 të dyshuarve u është përcaktuar masa e paraburgimit 30 ditor, të tre të dyshuarit janë akoma në kurim spitalor.
Në mesin e të dyshuarve është kryetari aktual i Komunës së Koçanit dhe dy pararendësit e tij, përkatësisht: Ljupco Papazov, Nikollço Ilijev dhe Ratko Dimitrovski, dy nga rradhët e VMRO DPMNE-së dhe njëri nga LSDM; pesë persona nga Ministria për Punë të Brendshme, shtatë persona nga Ministria e Ekonomisë, përfshi ish ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi; pesë persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut; një nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre persona nga Diskoteka “Puls”, organizatori i koncertit dhe të tjerë.
REXHEP QAMILI
