Maqedoni
Vazhdojnë inspektimet, 23 dënime në komunën Qendër, Aerodromi kontrollon shkollat dhe çerdhet
22.03.2025 16:44
Rasti në Koçan ka alarmuar komunat që përveç objekteve gastronomike të bëjnë kontrolle në objektet shkollore, kopshte fëmijësh por edhe në ndërtesa të banimit kolektiv....

Krahas institucioneve shtetërore edhe autoritetet komunale kanë përforcuar kontrollet në terren për të vërtetuar nëse lokalet funksionojnë sipas kushteve dhe standardeve të nevojshme. Komuna Qendër dhe ajo e Aerodromit kanë kontrolluar gastronomitë, ndërkaq planifikojnë të kalojnë edhe në shkolla dhe çerdhe. Disa kafiterive dhe kompanive veçmë u është shqiptuar dënimi sipas ligjit.
“Nga e hëna e këndej janë shqiptuar diku 23 dënime. Këtu bëjnë pjesë kafiteri me terasë verore që nuk posedojnë leje për pajisje urbane, kantierët e ndërtimit të kompanive që kanë lënë materiale ndërtimore në rrugët publike, automjetet që nga gomat u dalin materialet e pista për shkak të rrugëve të pa pastruara. Është kontaktuar Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe mendoj se gjithçka është në rregull, se në territorin e komunës Qendër janë vërtetuar pajisjet për shuarjen e zjarrit dhe instalimet e rrjetit hidratant.”, tha Mirosllav Bogdanovski nga sektori i inspektoratit, Qendër.
“Janë mbledhur informacionet. Të gjitha shkollat dhe çerdhet kanë elaborate për siguri nga zjarri, plane për evakuim, kështu që këto ndërtesa kanë siguri. Nuk do të ndalemi këtu.”, tha U.D. kryetar i komunës Aerodrom, Dejan Mitevski.
Ndërkohë edhe kompetentët në nivel qendror kanë vazhduar me kontrollet e licencave dhe kushteve dhe standarteve për veprimtari.
Nga e hëna, nën lupën e kontrollit do të kalojnë edhe objektet e banimit, për të vërtetuar nëse i kanë plotësuar kushtet për shpëtim nga zjarri apo fatkeqësi.
NERMIN MULKAI FEJZULLAHU
