Maqedoni

Vazhdon hetimi për zjarrin në Koçan, Azizi: Qeveria e vendosur të zbardh të vërtetën

23.03.2025 13:58

Nga ekzekutivi përsërisin qëndrimin e tyre dhe premtojnë se do të zbardhet e vërteta mbi fatkeqësinë që tronditi vendin...

Ekipi i Prokurorëve është duke punuar në grumbullimin e provave për zjarrin katastrofal që përfshiu diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan, në të cilën tragjikisht humben jetën 59 persona e mbi 190 të tjerë u lënduan. Pas përfundimit të fazës parahetimore, tashmë vijojnë afatet e përcaktuara kohore në lidhje me hetimin e prokurorëve, brenda së cilës ata do të duhet të përfundojnë hetimin dhe të ngritin aktakuzë ndaj të dyshuarve. Sipas ligjit për procedurë penale, prokurorët kanë afat 6 muaj për t’i mbledhur të gjitha provat, t’i marrin në pyetje të gjithë dëshmitarët, të dyshuarit, ekspertët dhe t’i sigurojnë raportet e nevojshme në bazë të së cilës, planifikojnë të parashtrojnë aktakuzën.  
 
Nga ekzekutivi përsërisin qëndrimin e tyre dhe premtojnë se për këtë rast do të ketë hetim të shpejtë, efikas dhe efektiv dhe se do të zbardhet e vërteta mbi këtë fatkeqësi që tronditi vendin. 
 
“Qeveria është e vendosur që të zbardh të vërtetën dhe të sigurojë që të gjithë ata që janë përgjegjës do të japin llogari për veprimet e tyre. Askush nuk mund të fshihet dhe drejtësia do të vihet në vend.”, tha Venera Azizi, zëdhënëse e Qeverisë.
 
Nga përvoja e së kaluarës, kur prokurorët punojnë në lënde voluminoze, ku ka një numër të madh të të dyshuarve, prokurorët publik, jo gjithmonë mund të përfundojnë hetimin dhe të ngrejnë aktakuzën ndaj të dyshuarve brenda afatit të paraparë 6 mujor. Në të këtilla raste, prokurorët e publik kanë të drejt dhe mund t’i drejtohen Prokurorisë së Lartë apo kryeprokurorit publik dhe të kërkojnë afat shtesë për ta përfunduar në tërësi fazën hetimore, ku secili prej tyre, mund t’u jep prokurorëve të kësaj lënde, edhe dy herë me nga 6 muaj, respektivisht ata mund të kenë maksimum 18 muaj në dispozicion për ta kompletuar tërësisht procedurën hetimore.  Po aq, 18 muaj maksimum, sa mund të zgjasë eventualisht hetimi i prokurorëve, po aq mund të qëndrojnë në paraburgim edhe të dyshuarit, ku në rast se brenda 18 muajve nuk parashtrohet aktakuza, ata do të lirohen nga paraburgimi.
 
Për këtë fatkeqësi, aktualisht po zhvillohen dy procedura hetimore. Njëra para Prokurorisë Themelore në Koçan ku të dyshuar janë 27 persona dhe procedura tjetër para Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ku janë të dyshuar edhe 7 të tjerë. 
 
Pas përfundimit të hetimeve, prokurorët publik do të duhet të vendosin, nëse për këtë rast do të dorëzohen një apo dy aktakuza. 34 personave fizik dhe 3 juridik, u është parashtruar me nga dy padi penale për veprën penale sipas nenit 292 të Kodit Penal “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe nenit 288 “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa një person tjetër është paraqitur edhe për “marrje të ryshfetit, sipas nenit 357 të Kodit Penal. Në paraburgim 30 ditorë aktualisht ndodhen 24 prej të të dyshuarve, ndërsa  të dyshuarit e tjerë janë akoma në mjekim spitalor. 
 
Në mesin e të dyshuarve është kryetari aktual i Komunës së Koçanit dhe dy pararendësit e tij, përkatësisht: Ljupco Papazov, Nikollço Ilijev dhe Ratko Dimitrovski, dy nga rradhët e VMRO DPMNE-së dhe njëri nga LSDM, pesë persona nga Ministria për punë të Brendëshme, shtatë persona nga Ministria e Ekonomisë, përfshi ish- ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi; pesë persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut; një nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre persona nga Diskoteka “Puls”, organizatori i koncertit dhe të tjerë. 
 
Sipas kryeprokurorit Kocevski, të gjithë të dyshuarit prej vitit 2012 deri më 16 mars 2025, nuk kanë vepruar aspak në përputhje të dispozitave ligjore për masa mbrojtëse dhe me atë kanë shkaktuar rrezik për jetën, trupin e njeriut dhe pronës në përmasa të mëdha. Në bazë të provave të grumbulluara, Kocevski tha se zinxhiri i mos respektimit të dispozitave ligjore në fakt ka sjellë deri te zjarri katastrofal.
 
REXHEP QAMILI