Maqedoni
Letra e hapur e familjes Ademi: Hetim transparent për vdekjen e Vedatit
23.03.2025 14:24
Familja e të riut 32 vjeçar Vedat Ademi përmes një letre të hapur kërkojnë nga autoritet transparencë të skajshme gjatë procedurës hetimore...

Familja e të riut 32 vjeçar Vedat Ademi, i cili një javë më parë, ndërroi jetë në Spitalin e Kumanovës, si pasojë e terapisë së gabuar, siç pretendojnë ata, përmes një letre të hapur kërkojnë nga autoritet transparencë të skajshme gjatë procedurës hetimore.
"Kërkojmë transparencë në hetim të bindur në ndriçimin e rastit edhe pse drejtësia nuk gëzon besueshmëri dhe se është e politizuar edhe ku është përzier politika aty nuk ka pasur drejtësi. Jemi të përkushtuar në ofrimin e bashkëpunimit me organet kompetente në ndriçimin dhe zgjidhjen e lëndës për Vedat Ademin”, thuhet në letrën e Familjes Ademi.
Familja Ademi, ka falenderuar të gjitha mediat, portalet, shokë, miq, dashamirë si dhe personalitete publike e politike, të cilët qëndruan pranë tyre në këto momente të vështira për ta, por edhe për informimin dhe senzibilimin e rrethanës, në të cilat ndërroi jetë Vedat Ademi. Ata shpresojnë që Vedati të jetë sakrificë e fundit e një sistemi të rrënuar.
"Duke qenë të vetëdijshëm për humbjen dhe dhimbjen që kemi si familje shpresojmë që Vedati të jetë sakrifica e fundit i një sistemi të rrënuar dhe të bëhet feneri i cili do të ndriçoj mendjet dhe funksionimin e një mentaliteti kolektivë në përgjegjësi, llogaridhënie dhe veprim në përmisimin e mirëbesimit në institucione dhe organe ligjvënëse", thuhet ndër të tjera në letrën e hapur të familes Ademi.
Të përkujtojmë se Vedat Ademi ndërroi jetë më 17 mars në Spitalin e Kumanovës. Familjarët pretendojnë se Vedati e gjeti vdekjen si pasojë e terapisë së dhënë të gabuar. Vedati ka qenë alergjik ndaj Analginit, që theksohet edhe në librezën e tij shëndetësore.
FATLUM AQIFI
