Maqedoni
MPB kontrolle në objekte hotelierike: 16 objekte të kontrolluara, tre u mbyllen
23.03.2025 14:47
Gjatë një aksioni të madh policor, pjesëtarët e MPB-së kanë kontrolluar 16 objekte hotelierike....

Gjatë një aksioni të madh policor, pjesëtarët e MPB-së kanë kontrolluar 16 objekte hotelierike. Gjashtë në Tetovë dhe dhjetë në Gostivar, ku janë konstatuar një sërë parregullsish, njoftojnë nga MPB. Sipas këtij njoftimi do të përgatiten parashtresa përkatëse nga institucionet kompetente me çka do të mbyllen tre objekte hoteliere, dy në Tetovë dhe një në Gostivar.
Aksioni policor u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë për të Ardhura Publike, Policinë Financiare, Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Inspektoratin e Ndërtimit dhe inspektorët komunal.
“Kontrolle që kryhen në objekte hotelerie në territorin e Tetovës dhe Gostivarit që kanë për qëllim kryesor luftimin e tregtisë së palejueshme të drogës, prostitucionit, shpëlarjes së parave, veprave të ndryshme korruptive nga zyrtarët shtetëror të punësuar në institucione shtetërore të lidhur me punën e jashtëligjshme të subjekteve që kryejnë veprimtari hotelerie dhe punë tjera jolegale.”, - thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPB.
Policia ndërkohë ka arrestuar 17 persona për shkak se nuk i kanë respektuar shtatë ditë zi në Maqedoninë e Veriut, pasi kanë lëshuar muzikë në hapësirat publike.
IShT: Kontrolle në veprimtari transporti, në 138 kontrolle, janë konstatuar 21 parregullsi
Kontrolle janë kryer edhe nëpër kompani dhe individë që kryejnë veprimtari transporti pasagjerësh dhe mallrash, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Transportit. Gjatë kontrolleve janë konstatuar shumë parregullsi në 11 kompani dhe 10 persona që kryejnë veprimtari transporti.
“Njoftojmë se gjatë tre ditëve janë kryer 138 kontrolle, ku janë konstatuar 21 parregullsi te kompanitë juridike dhe fizik gjatë kryerjes së transportit të udhëtarëve dhe mallrave, dhe për çdo parregullsi është shqiptuar dënimi përkatës.”, - thuhet në komunikatën e lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.
Inspektimet janë kryer në përputhje me planin e veprimit të Ministrisë së Transportit. Më tej ata bëjnë të ditur se nga e hëna e datës 24 mars do të kryhen kontrolle intensive për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, kontrollin e dokumenteve monitorimin e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e transportit të paligjshëm.
FARIJE DAUTI BAKIU
