Maqedoni

Pacientët që po kurohen në Serbi, disa kthehen në reparte, pesë do të operohen

23.03.2025 15:05

Vazhdon trajtimi mjekësor i të lënduarve në tragjedinë e Koçanit jashtë spitaleve të vendit...

Vazhdon trajtimi mjekësor i të lënduarve në tragjedinë e Koçanit jashtë spitaleve të vendit. 30 të lënduar po kurohen në Serbi. 17 prej tyre janë të hospitalizuar në qendrën klinike të Beogradit ndërsa 12 të tjerë në Akademinë mjekësore ushtarake dhe një pacient në spitalin e Nishit. Drejtori i Klinikës për Kirurgji Plastike Millan Stoiçiq, thotë se dy pacientë marrin frymë me ndihmën e aparateve dhe dy të tjerë janë operuar, gjendja e të cilëve raportohet të jenë stabile, ndërkaq ditëve në vijim, operimit do t’i nënshtrohen edhe pesë ose gjashtë pacientë të tjerë.
 
“Kam edhe lajme të mira. Disa pacientë do të transferohen në reparte sepse funksionimi i frymëmarrjes po ju kthehet në normalitet, ndërsa djegiet nuk janë të atilla që kërkojnë trajtim në njësinë për shërim intensiv. Bëhet fjalë për njerëz të rinj. Më i riu është 17 vjeçar, njëri është i moshës 35 vjeçare dhe të tjerët të moshës rreth 20 vjeçare. Tek ata me djegie të rëndë do të duhet t’ju merret pjesë lëkure nga trupi i tyre dhe t’ju bëhet transplant në pjesën e dëmtuar nga djegiet.”, u shpreh Millan Stoiçiq, drejtor klinike në Serbi.
 
Mjeku në fjalë sqaron se në këto momente nuk ka nevojë për dhurues të lëkurës ndërkaq klinika e tyre po ashtu ka sasi të mjaftueshme edhe të gjakut për shërimin e të lënduarve. Pacientëve që po gjejnë trajtim në Serbi u kanë dalë në ndihmë edhe anesteziologët, pulmologët dhe bronkologët në mënyrë që t’ua kthejnë sistemin e frymëmarrjes në gjendje normale. Pacientët që janë nën ventilim mekanik rezultojnë të jenë në rrezik për shkak të mundësinë për paraqitjen e infeksioneve, informon mjeku nga Beogradi.
 
NERMIN MULAKI FEZULLAHU