Maqedoni
Tragjedia në Koçan, vazhdojnë tubimet dhe protestat në disa qytete
23.03.2025 15:21
Banorët e disa qyteteve të vendit sërish janë tubuar për të respektuar viktimat e natës së kobshme të diskotekës “Puls”...

Banorët e disa qyteteve të vendit sërish janë tubuar për të respektuar viktimat e natës së kobshme të diskotekës “Pulse” dhe njëherit për të bashkëndjerë dhimbjen me familjarët që humbën më të dashurit e tyre në tragjedinë nga zjarri. Tubimit në Shkup për të shprehur ngushëllime për viktimat në Koçan i qëndron prapa Plenumi Studentor. Në Koçan edhe në ditën e fundit të javës marsh protestues, të cilët kërkojnë përgjegjësi për shkakun kryesor të tragjedisë që ua mori jetën 59 njerëzve të rinj.
“Ne kemi sistem të kalbur. Ky sistem na solli deri këtu. E kemi të kotë. Kështu funksionoka sistemi?! Nëse ngre kokën për drejtësi do të dëbohesh nga puna, kushdo qoftë, edhe ispektori edhe prokurori nëse ngre kokën për drejtësi do të largohet nga puna, do të shkoj në burg. Kështu njerëz ka funksionuar sistemi këto 30 vjet.”, u shpreh një protestues.
Mbledhje paqësore e banorëve edhe në qytetin e Ohrit.
Miteva: T’u lejojmë organeve ta përfundojnë hetimin
Ndërkohë nga qeveria kërkojnë që tubimet dhe protestat mos të shkojnë në kahjen e kundërt me angazhimet institucionale, t’u shmangen thirrjeve për destabilizim dhe të kontribuojnë në zbardhjen e rastit nëpërmjet drejtësisë.
“Në asnjë moment nuk duam të keqpërdoret fatkeqësia tragjike në Koçan sepse angazhimi ynë vërtetohet me vepra dhe aksione... Nuk do të donim që të lejohet ndërhyrje nga rrjete të ndryshme, përmes thirrjeve për destabilizim dhe skenare të ndryshme dhe të tjera që e dëmtojnë procesin. Prej këtu të gjithë duhet patjetër të dalim më të fuqishëm, duke përcjellë drejtësi.”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Nga e hëna drejtësi do të kërkohet sërish në rrugët e Shkupit por edhe të Tetovës, të cilët kërkojnë zbardhjen e rasteve tragjike në vend. Nisma “Kush e ka radhën” njoftoi se të hënën fillon Marshi për përgjegjësi dhe siguri me moton “Mjaft ishim ne, radhën e ka sistemi”. Drejtësi në Tetovë do të kërkohet në sheshin “Iliria”, organizuar nga nisma “Zero”. Ata shkruajnë se kanë obligim qytetar ndaj viktimave të spitalit modular, rasteve të Besa Transit, Llaskarcës dhe Koçanit. ZERO heshtje, ZERO frikë! ZERO tolerancë ndaj korrupsionit, shkruhet në grafat e kësaj iniciative. Protestat nëpër qytetet e vendit janë paralajmëruar në rrjetet sociale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
