Maqedoni

BDI reagon për tragjedinë në Koçan, pyesin pse nuk u parandalua tragjedia

24.03.2025 12:12

BDI përmes një komunikate të publikuar sot ka reaguar lidhur me tragjedinë e Koçanit...

BDI përmes një komunikate të publikuar sot ka reaguar lidhur me tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 59 veta, ndërsa mbi 200 përfunduan të plagosur si pasojë e një zjarri që shpërtheu nga fishekëzjarret në një diskotekë.
 
“Si Bashkim Demokratik për Integrim, vendosëm të heshtim – nga respekti. Por heshtja mori fund. Dhe tani duhet të flitet. Që në momentin e parë të tragjedisë, ndërsa zjarri ende nuk ishte shuar, ndërsa qytetarët në shok kërkonin përgjigje dhe shpresë, pamë se si krerët e pushtetit – në vend që të tregojnë dhembshuri  nisën një ndjekje politike. Të gjithë e dinë se objekti ishte mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike disa muaj më parë, dhe shumë shpejt më pas ishte rihapur në mënyrë të paligjshme. Të gjithë e dinë se në objekt rregullisht kishte numër të tejkaluar vizitorësh, dhe se atë natë kishte mbi 650 persona në një hapësirë me kapacitet prej 300 vetash. Të gjithë e dinë se objekti frekuentohej rregullisht nga të mitur, ashtu si edhe natën fatale, madje deri në orën 3 të mëngjesit. Të gjithë e kishin parë  por për një vit të tërë askush nuk kishte parë asgjë. Ne pyesim: Pse? Pse nuk e panë me kohë dhe pse nuk e parandaluan? Nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë – të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij; të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje.”, thonë nga BDI.