Botë

Protesta në Turqi, përkrahësit e Imamoglut përleshen me policinë

24.03.2025 12:51

Qindra mijëra qytetarë mbushën rrugët e Stambollit për të protestuar kundër arrestimit të Ekrem Imamoglu...

Në Turqi kanë vazhduar protestat e opozitës pas arrestimit të kryetarit të Stambollit Ekrem Imamoglu. Ky i fundit nga burgu ka ftuar për protesta masive, pasi gjykata i ka shqiptuar masën e paraburgimit, nën dyshimin për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist. Mijëra protestues iu përgjigjën thirrjes së tij dhe dolën në rrugët e Stambollit e Ankarasë, dhe qytetet tjera turke, ndërsa pati edhe përleshje mes protestuesve dhe policisë.

“Gjykata vendosi burgosjen e tij, duke e larguar nga funksioni. Ankesat e nevojshme do të parashtrohen së shpejti, ndërkohë do të caktohet zëvendës kryetari I komunës, I cili do ta kryej detyrën derisa nuk dëshmohet pafajsia e Imamoglut, ose derisa ti hiqet paraburgimi.”, tha Ozgur Ozel nga partia Popullore Republikane.
 
Ndërkohë Imamoglu u emërua zyrtarisht si kandidat presidencial nga partia Popullore Republikane. Imamoglu është rivali kryesor i presidnetit turk Rexhep Taip Erdogan, prandaj arrestimi i tij shihet me prapavijë politike.
 
“E shihni popullin, po përpiqemi të ua shfaqim regimin tonë, duam drejtësi. Në këtë vend na është bërë mjaft shqetësimi, frika dhe presioni. Gjithçka duhet të jetë e lirë, e barabart. Kjo është gjëja e vetme që e duan njerëzit.”, u shpreh një protestues nga Stambolli.
 
Por presidenti turk Erdogan duke kundërshtuar protestat e ka akuzuar partinë opozitare të Imamoglut se po përpiqet ta cënojë paqen. Ndërsa Ministria e Brendshme e Turqisë, ka njoftuar se 1,133 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave kundër arrestimit të Ekrem Imamoglut javën e kaluar. Në mesin e të arrestuarve raportohet se janë edhe rreth 10 gazetarë që po mbulonin protestat në përkrahje të Imamoglut. 
 
Lidhur me arrestimin e Imamoglut kanë reaguar edhe vendet e BE-së. Franca dhe Gjermani kanë vlerësuar se burgosja e Imamoglut dhe përkrahësve të tij është sulm ndaj demokracisë në Turqi. 
 
GYLTENE SINANI