Maqedoni
Murtezani: Arrijnë mjetet e para të KE-së për Reforma dhe Rritje
24.03.2025 13:13
Kanë arritur mjetet e para të KE-së në kuadër të instrumentit për Reforma dhe Rritje në vlerë prej 52.4 milion euro...

Kanë arritur mjetet e para të KE-së në kuadër të instrumentit për Reforma dhe Rritje në vlerë prej 52.4 milion euro, të cilët i dedikohen vendit për mbështetjen e procesit të zgjerimit, duke përshpejtuar harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rajonal si dhe konvergjencën socialo- ekonomike me BE-në. Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, tha se në këto momente në zhiro - llogaritë e Ministrisë së Finansave dhe Bankës Popullore janë faturuar 24.4 milionë eurot e para, ndërsa pjesa tjetër është në formë grante.
“Kjo pagesë është në bazë të kërkesës për parafinancim për të cilën ne në nëntor të vitit të kaluar raportuam se si koordinator nacional për agjendën reformuese nënshkrova dhe dorëzova deri tek KE me këtë RMV u bë vendi i parë në rajon i cili i arkëton këto mjete pasi që paraprakisht kishte ndërmarr të gjitha hapat e domosdoshme, që do të thotë se marrëveshja për huamarrje dhe marrëveshja për grant tani më kanë hyrë në fuqi.”, deklaroi Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Ky është kësti i parë i mbështetjes financiare, prej gjithsej 750 milion eurove më herët të përcaktuara për RMV nga Parlamenti dhe Komisioni Evropian.
Në lidhje me agjendën reformuese, në afatin e paraparë kohorë Qeveria dhe ministria për çështje evropiane me 14 mars kanë dorëzuar kërkesën e parë deri tek KE për lirimin e mjeteve të tjera shetesë në vlerë prej 17.1 milion euro për zbatimin e reformave deri në fund të 2025-tës.
“Këto reforma përfshijnë miratimin e ligjit për kontrollin e brendshëm financiar publik, miratimin e akteve ligjore të ligjit për buxhet, operacionalizimin e strukturave për tranzicion të drejtë dhe sjellja e planit për vitin 2025, ndryshimin e ligjit për shoqëri tregtare në pjesën e kritereve për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillave Drejtuese dhe Mbikëqyrëse dhe në pjesën e sistemit të drejtësisë plotësimin e vendeve të lira në gjyqësor dhe në prokurori.”, u shpreh Murtezani.
Prej gjithësej 17.1 milion eurove, 7.96 milion prej tyre do të dedikohen për mbështetje buxhetore, ndërsa 9.15 milion euro të tjera do të dedikohen për projekte investuese përmes fondit të përbashkët të kornizës investuese për Ballkanin Perendimor, tha Murtezani. Këto mjete do të jenë në dispozicion të plotë pasi që Komisioni do të përfundojë vlerësimin për reformat e zbatuara.
REXHEP QAMILI
