Maqedoni
Zgjerohet ekipi i prokurorëve, 11 prokurorë hetojnë tragjedinë në Koçan
24.03.2025 13:37
Është vendosur që ekipit të prokurorëve në hetimin e rastit tragjik në diskotekën në Koçan ti shtohen edhe 3 prokurorë të tjerë...

Për shkak të rritjes së vëllimit të punës në hetimin e rastit tragjik në diskotekën në Koçan, Kryeprokurori Lupço Kocevski pas koordinimit me ekipin e prokurorëve publik të angazhuar në këtë rast, është vendosur që ekipit të prokurorëve ti shtohen edhe 3 prokurorë të tjerë. Për momentin në ekipin hetimor punojnë 11 prokurorë në pajtueshmëri me planin e miratuar, aktivitetet dhe dinamikën.
“Planet fillestare të hetimit i referohen aktiviteteve të gjera që përfshijnë marrjen në pyetje të më shumë se 300 dëshmitarëve, por edhe veprime të tjera hetimore dhe ekspertizë të përshtatshme nga disa fusha. Prokurori publik Kocevski nga prokurorët e emëruar kërkoi hetim efikas dhe të thellë, i cili do të shqyrtojë në detaje çdo aspekt dhe drejtim të përgjegjësisë për tragjedinë e Koçanit. Prokurorët në Koçan gjatë ditës së sotme janë duke ndërmarrë veprime për sigurimin e provave.”, - njoftojnë nga Prokuroria.
Sipas Ligjit për procedurë penale, prokurorët kanë afat 6 muaj për t’i mbledhur të gjitha provat, t’i marrin në pyetje të gjithë dëshmitarët, të dyshuarit, ekspertizat dhe t’i sigurojnë raportet e nevojshme në bazë të së cilës, planifikojnë të parashtrojnë aktakuzën. Për shkak të lëndës voluminozë, ligji parashikon që ky afat prej 6 muajve, të vazhdohet deri më 18 muaj. Për këtë fatkeqësi, aktualisht po zhvillohen dy procedura hetimore, një nga Prokuroria në Koçan dhe një hetim nga Prokuroria për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Për këtë rast të dyshuar janë gjithsej 34 persona fizik dhe 3 juridik, prej të cilëve 24 janë në paraburgim, ndërsa 3 të tjerë janë të hospitalizuar. Të dyshuarit ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, vepër për të cilën është i paraparë dënim me burg prej 3 deri më 20 vjet. Po hetohen edhe veprimet për mito si dhe sigurimin mjeteve piroteknike në mënyrë kundërligjore.
FLORIJE BELULI KAMBERI
