Maqedoni
Tragjedia në Koçan, Mickoski: Me protestuesit, jo me përfituesit politik
24.03.2025 14:41
Kryeministri Hristijan Mickoski arsyeton protestat qytetare por jo edhe ndërhyrjet e caktuara politike...

Kryeministri Hristijan Mickoski arsyeton protestat qytetare në vend si instrument demokratik për shfaqjen e pakënaqësive, por jo edhe ndërhyrjet e caktuara politike. Kryeministri druan se revolta qytetare mund të keqpërdoret nga subjekte politike për interesat e tyre, andaj apelon që fokusi të vihet në zgjidhjen e problemeve.
“Kjo qeveri ndaloi nënçmimin, vjedhjen, shkatërrimin kombëtarë. Kjo paraqet problem për gjithë brejtësit politik të cilët nëpërmjet këtyre protestave duan të përfitojnë ndonjë pikë politike. Unë absolutisht i bashkangjitem shprehjes së revoltës pasi kemi shumë punë për të zgjidhur. Por aspak nuk mund të arsyetojë brejtësit politik të cilët nuk duan qeveri të fuqishme si VMRO, e cila është mburojë dhe shtylla e fundit për të ndaluar shkatërrimin e Maqedonisë si shtet.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Kanë vijuar edhe kontrolli i objekteve dhe në 80% të rasteve janë gjetur parregullsi të mëdha. Qeveria planifikon të shpall moratorium, me qëllim që vetëm klubet të cilat përmbushin kushtet të vazhdojnë punën.
BDI: Të gjithë i dinin parregullsitë, por heshtnin
Me mbylljen e ditëve të zisë, zyrtarisht është prononcuar BDI, të cilët konsiderojnë se pushteti ka nisur përndjekjen politike. Sipas tyre të gjithë e dinë se në objekt rregullisht kishte numër të tejkaluar vizitorësh, të mitur dhe se pa leje nga policia përdorej rregullisht piroteknikë, por është heshtur.
“Më e rëndësishmja është se të gjitha institucionet lokale, nga policia te inspektoratet, e kishin ditur këtë, e kishin parë, por nuk kishin guxuar të reagojnë. Nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë, të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij, të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje.”, thonë nga BDI.
LSDM: Kallzime penale për policët përgjegjës
Nga LSDM paralajmëruan kallëzime penale për funksionarët policorë në Koçani, të cilët edhe pse përgjegjës po përjashtohen nga hetimi.
“Nga video xhirimet shihet se policia ka qenë prezente. Kanë pasur njohuri për ngjarjen, por nuk e kanë siguruar siç duhet. Shtrohet pyetja nëse të gjithë punonjësit policor kanë kryer vepër penale? A janë amnestuar nga përgjegjësia policë, dhe komandirë të cilët kanë qenë në detyrë? Nëse hetimi nuk i përfshin edhe ata, ekipi juridik I LSDM-së do të ngrejë padi.”, tha Martin Kostovski nga LSDM.
LSDM dyshon se aktualisht në paraburgim janë shtatë police të pafajshëm andaj kërkojnë që ndriçimi I tragjedisë të jetë i drejtë dhe joselektiv.
MERALE ISMAILI
