Maqedoni

Protesta në Tetovë, kërkohet drejtësi për tragjeditë

24.03.2025 15:15

Familjar të viktimave të spitalit Modular në Tetovë, si dhe të aksidenteve tragjike të Besa Trans dhe Durmo Tursit...

Familjar të viktimave të spitalit Modular në Tetovë, si dhe të aksidenteve tragjike të Besa Trans dhe Durmo Tursit, nxënës e qytetar të Tetovës kanë dalur në marsh protestues nga sheshi i Tetovës, deri përpara gjykatës dhe prokurorisë së Tetovës. Ata kërkuan nga sistemi gjyqësor ti rikthejnë rastet e tragjedive viteve te fundit në vend dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.
 
“Kërkojmë që për spitalin modular, prokuroria për ndjekje të krimit dhe korrupsionit të nxjerr nga sirtari hetimin për shkaktarin e djegies së spitalit dhe të ngritët akt akuzë për fajtorët kryesor në këtë rast. Kërkojmë krijimin e një ekipi të pavarur për të hetuar gjithë ata që kanë zvarritur lëndën qëllImisht, përfshirë dhe prokurorët publik. Për rastin në koçan kërkojmë hetim të pavarur dhe përfshirje të ekspertëve të pavarur, për Llaskarcën kërkojmë që gjykata e apelit të kthej lëndën në rigjykim dhe të merr parasysh ankesat e prokurorisë publike. Për Besa Trans kërkojmë që gjykata penale të shqiptojë dënime më të larta për të akuzuarit dhe të dalin para drejtësisë gjithë zyrtarët që lejuan aso kohe autobusi me certifikatë të rrejshme të kaloj kufirin mbi 20 herë.”, tha Blendi Hodai nga Nisma ZERO.
 
Edhe familjaret e viktimave, kërkuan nga Qeveria që të dalin para drejtesis të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi, dhe rastet e tilla mos ti përdorin politikisht.
 
“Për fat të keq nga tragjedia në tragjedi kemi vetëm një progres, numrin e viktimave që vazhdon e rritet, gjithçka tjetër është regres. i pandërruar kryeministër, nga hëna duket se ju po nxirrni mllefin dhe egon tuaj politika ndaj kundërshtarëve tuaj, për ta heq fajin nga ju dhe t`ua hidhni tyre.”, u shpreh familjari i viktimave Burim Islami.
  
“Pyes publikisht Venko Filipçen, sa kushton jeta e vëllait dhe babait tim. Pyes publikisht Koço Angjushev, sa miliona kushtojnë 14 familjarët tanë që u dogjën të gjallë, Zotëri Mickoski ju dolët dhe thatë që rastin do e nisni nga fillimi.”, u shpreh familjari i viktimave Ibin Emshiu. 
 
Nga iniciativa ”ZERO” paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
 
VISAR SADIKI