Botë
Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri: Rama, Berisha e Basha shkëmbejnë akuza në distancë
24.03.2025 16:01
Kanë mbetur vetëm pak javë deri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit...

Kanë mbetur vetëm pak javë deri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe fushata duket se ka nisur vrullshëm. Është kryeministri Edi Rama ai që bën me dhjetëra dalje në ditë, ndërsa kryetari i opozitës Sali Berisha, daljet i ka më të pakëta.
Ndërkohë duket se Edi Rama ka sjellë në skenë ish-kryetarin demokrat Lulzim Basha, duke replikuar me të në mënyrë të vazhdueshme, e siç e komentojnë analistët, duke i dhënë rëndësi, në mënyrë që vota e opozitës të ndahet.
Pak janë të përqendruar në programet elektorale, ndërsa Edi Rama e ka përqendruar fokusin në premtimin për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Ndërkohë këtë vit për herë të parë do të votojë edhe diaspora. KQZ miratoi sot projektvendimin për sasinë e fletëve që do të prodhohen, konkretisht 245 808 fletë votimi. Pas këtij vendimi të miratuar, do të nisë edhe prodhimi i fletëve në Slloveni, ku kompani Cetis do të printojë të parat ato që janë për t’u dërguar jashtë.
Fleta e votimit për zgjedhjet e 11 majit do të fluturojë në 85 shtete të botës.
Më 5 prill do të nisë procesi për përgatitjen e materialeve zgjedhore dhe më 10 prill pritet që fleta të dërgohet drejt zgjedhësve jashtë Shqipërisë.
LULJETA NDOKA
