Rajon

Takimi Vuçiq-Sorensen, presidenti serb insiston për asociacionin

25.03.2025 13:13

Vuçiq u takua në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen. Tema e bisedës ishte vazhdimi i dialogut, ndërsa Vuçiq ka insistuar në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, si parakusht për normalizimin e raporteve. 
 
“Kam theksuar pengesat e vazhdueshme që po bën Prishtina në procesin e dialogut dhe kam përsëritur se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pas 12 vitesh refuzimi nga ana e Prishtinës për ta zbatuar këtë obligim, është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve.”, citohet të ketë deklaruar presidenti serb Vuçiq, në deklaratën e lëshuar nga presidenca e Serbisë.
 
 Vuçiq po ashtu ka theksuar pritshmëritë që BE-ja të rrisë angazhimin e saj dhe të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes me kompromis. Javën e kaluar, Sorensen vizitoi Prishtinën, ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryenegociatorin Besnik Bislimi, si dhe me liderët e opozitës dhe përfaqësues të partive serbe. 
 
Hipper rruga drejt BE-së kalon nga dialogu
 
Nga Prishtina, Sorensen tha se pas vizitës në Beograd dhe Prishtinë do të bëjë një vlerësim se ku qëndron dialogu. Ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se rruga e të dyja vendeve drejt BE-së duhet të shkojë nëpërmjet dialogut.
 
“Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të shkojë nëpërmjet dialogu të lehtësuar.”, ka deklaruar zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper.
 
GYLTENE SINANI