Maqedoni
Vazhdojnë hetimet për tragjedinë në Koçan
25.03.2025 14:01
Edhe gjatë ditës së sotme vazhdojnë veprimet për sigurimin e provave në hetim lidhur me zjarrin tragjik në Koçan....

Ekipi i zgjeruar hetimor i Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe gjatë ditës së sotme vazhdojnë veprimet për sigurimin e provave në hetim lidhur me zjarrin tragjik në Koçan.
“Janë kryer bastisje në pesë lokacione në Koçan dhe në Shkup, gjatë të cilave janë sekuestruar pajisje elektronike shtesë dhe prova të tjera, për të cilat janë dhënë urdhëra për ekspertizë. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe persona që mund të kenë njohuri të caktuara.”
Ndërkohë, nga gjithsej 34 të dyshuar, 19 të dyshuarve që u është caktuar masa e paraburgimit 30 ditorë, kanë parashtruar ankesa në Gjykatën e Koçanës. 14 të dyshuar mbetën në paraburgim, për dy do të vendoset ndërsa tre të dyshuarve paraburgimi efektiv u është zëvendësuar me paraburgim shtëpiak.
Mickovski: Ndalet procedura për Kocevskin, rasti zgjerohet
Kryeministri Hristijan Mickovski ,deklaroi se prokurorët që po punojnë në zbardhjen e rastit për tragjedinë në Koçan, duhet tu jepet mundësi që ta punojnë punën. Procedura për shkarkimin e Kryeprokurorit do të ndalet ndërsa rasti do të zgjerohet.
“Në këtë moment, duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, planifikojmë që atë procedurë ta ndalojmë atje ku është. Vlerësojmë se prokurorët që punojnë posaçërisht në rastin e Koçanit duhet të punojnë, të ju japim shansën. Kur unë thash se jemi të kënaqur, e pashë se ekziston një aksion dhe punë e përbashkët mes MPB-së dhe Prokurorisë, që rezultoi me 34 persona të ndaluar, që kanë edhe dyshimin më të vogël për lidhshmëri me këtë rast. Por, këtu nuk do të ndalemi, rasti do të zgjerohet. Por, gjithashtu, opinioni është i ndjeshëm edhe për disa raste nga e kaluara, për të cilat duhet të presim dhe shohim se nëse Prokuroria Publike ka ambicie të konstatojë disa parregullsi nga e kaluara.”, tha kryeministër, Hristijan Mickovski.
Prokuroria Publike gjatë ditës do të urdhërojë edhe Policinë Financiare që të ndërmarrë veprime të caktuara në lidhje me veprimet materiale të disa personave juridikë, të dyshuarve dhe personave të tjerë. Në ekipin e prokurorëve marrin pjesë 11 prokurorë publik.
FLORIJE BELULI KAMBERI
