Maqedoni
Taravari: Nuk ka të keqe të komunikojë me partitë politike
25.03.2025 14:14
Taravari, ka mohuar zërat se ka zhvilluar një takim me kreun e BDI-së gjatë ditëve të fundit...

Kreu i ASh-së dhe njëherit ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka mohuar zërat se ka zhvilluar një takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, ai theksoi se ka kanale komunikimi si me partinë e Ahmetit ashtu edhe me parti të tjera, duke përjashtuar komunikimin me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, dhe me të ASH-së, Ziadin Selën.
“Mendoj se nuk ka asgjë të keqe që partitë politike të komunikojnë mes vete. Kam komunikim me të gjitha partitë politike, përveç me Menduh Thaçin dhe Ziadin Selën.", u shpreh kryetari i ASH-së Arben Taravari.
Taravari konfirmoi takimin edhe me kryetarin e komunës së Vrapçishtit, Isen Shabanin, i cili i përket krahut të Ziadin Selës. Ai theksoi se vendimi për t’iu bashkuar krahut të tij i takon vetë Shabanit. Taravari po ashtu sqaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, të largohet nga koalicioni qeveritar apo nga koalicioni VLEN.
Mickoski: S’kam informacione se Taravari do ta braktisë Qeverinë
Këtë deklaratë e konfirmoi edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili tha se koalicioni qeveritar funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme dhe nuk ka arsye për dorëheqje apo tërheqje.
“Unë nuk kam informacione se Taravari do të largohet nga koalicioni qeveritar apo nga koalicioni VLEN. Koalicioni qeveritar po funksionon shkëlqyeshëm. Sa i përket zgjedhjeve lokale dhe pozicionimit të koalicionit VLEN, është më mirë që këtë pyetje t’ua drejtoni atyre, në mënyrë që të japin një përgjigje.”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
I pyetur për kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski u shpreh i habitur dhe tha se nuk është i sigurt nëse opozita po i kërkon ato vërtet. Megjithatë, ai theksoi se partia e tij është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, pavarësisht se kur mund të mbahen ato.
ARMEND MURSELI
