Maqedoni
Hetimet për tragjedinë në Koçan, BDI: Përndjekje politike dhe jo hetim
25.03.2025 14:44
BDI kritikon pushtetin se po keqpërdorë tragjedinë në Koçani për përndjekje politike ndaj tyre...

BDI kritikon pushtetin se po keqpërdorë tragjedinë në Koçani për përndjekje politike ndaj tyre. Integristët thonë se qeveria duhet të përballet me pyetjen se si klubi, sinonim i një “hapësire të mbrojtur” për elitën politike dhe të biznesit lokal, ka funksionuar për një vit të tërë me licencë të falsifikuar, i mbushur me të mitur, piroteknikë dhe pa leje. Arrestimet e ish funksionarëve, sipas tyre, janë të padrejta, me tendencën për të fshehur të vërtetën.
“Opinioni ka të drejtë ta dijë se kush e lejoi që klubi të funksionojë ilegalisht për një vit të tërë në çdo aspekt: me llogari të bllokuar, pa lëshuar kupona fiskalë, i mbyllur apo jo nga Administrata Tatimore ende nuk është e qartë, gjithsesi pa asnjë leje të ligjshme, madje edhe me një licencë të skaduar dhe të falsifikuar.”, tha Albana Mustafa nga BDI.
LSDM akuzon për drejtësi selektive
Nga LSDM të shqetësuar se hetimi është selektiv, i drejtuar kah ish funksionarë duke përjashtuar aktorët aktual politik. Thonë se dy ish drejtorë të inspektoratit shtetëror të tregut po hetohen por jo edhe drejtori i momentit Vllatko Stojkovski.
“Inspektorati i tregut ka obligim ligjor të ndalojë punën për 30 ditë nëse nuk janë përmbushur kushtet e punës të një objekti. A është zbatuar kjo gjatë mandatit të drejtorit aktual. A kanë qenë në dijeni për shkeljet ose dikush me vetëdije nuk ka reaguar? Hetimi duhet të jep përgjigje.”, tha Jon Fërçkoski nga LSDM.
Mickoski kundër opozitës për manipulime
Kryeministri Hristijan Mickoski i përgjigjet opozitës. Për të hequr kualifikimet e socialdemokratëve inkurajon prokurorinë për sanksionimin e gjithsecilit të përfshirë në tragjedi. Ndërkaq ngjyrimin etnik të hetimit i’a mvesh integristëve.
“Në vend që të përfshihen në hetim dhe të ndihmojnë, ata u përpoqën që ta politizojnë, etnizojnë këtë rast dhe të përfitojnë pikë politike mbi tragjedinë, le t’iu shërbejë për nder. Ne do të tundim gjithçka dhe do të nxjerim në sipërfaqe për të kuptuar çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Bdi ishte më shumë se 20 vite pjesë e sistemit dhe duhej të kërkonte të paktën falje.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas kryeministrit drejtësia do të jetë gjithëpërfshirëse, sikurse beteja kundër krimit dhe korrupsionit, e cila do të shtrihet në të gjitha sferat e jetës pas betejës me mafijan gjyqësore, të rrugës në kryeqytet, mazutit, energjetikës dhe të bixhozit.
MERALE ISMAILI
