Botë

Zelenski: SHBA po zbut sanksionet ndaj Rusisë

26.03.2025 10:50

Zelenski deklaroi se marrëveshja e Amerikës për të lehtësuar eksportet bujqësore ruse është një dobësim i sanksioneve....

Presidenti ukrainas, Volodymir Zelenski deklaroi se marrëveshja e Amerikës për të lehtësuar eksportet bujqësore ruse është një dobësim i sanksioneve.
 
Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit Xho Bajden, udhëhoqën përpjekjet për sanksione të gjera kundër Rusisë, duke përfshirë masa për të kufizuar të ardhurat e saj nga nafta dhe gazi, si një kufi prej 60 dollarësh për fuçi për eksportet ruse të naftës.
 
Si pjesë e marrëveshjes së Detit të Zi, Shtëpia e Bardhë tha se do të “ndihmojë në rivendosjen e qasjes së Rusisë në tregun botëror për eksportet bujqësore dhe të plehrave, do të ulë kostot e sigurimeve detare dhe do të përmirësojë qasjen në portet dhe sistemet e pagesave për këto transaksione”. Kremlini thotë se kjo varet nga heqja e sanksioneve ndaj organizatave financiare, anijeve dhe kompanive që prodhojnë dhe eksportojnë ushqime dhe plehra. 
 
Zelenski tha se nëse Rusia shkel marrëveshjen e armëpushimit të Detit të Zi, ai do t’i kërkojë Donald Trumpit vendosjen e sanksioneve të reja. SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje që mos të ketë sulme në Detin e Zi.