Maqedoni
Tragjedia në Koçan, aktualisht 23 pacientë trajtohen në spitale
26.03.2025 11:17
23 të lënduar nga zjarri në diskotekën "Puls" po trajtohen në vend, ndërsa në kurim jashtë vendit janë 113 pacientë....

Katër pacientë nga Spanja dhe një nga Greqia që u lënduan nga zjarri në Koçan kthehen gjatë ditës së sotme dhe do të vendosen në klinika për 24 orët e para, tha ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Aktualisht numri i pacientëve që trajtohen në spitalet e vendit është 23 ndërsa 113 pacientë jashtë vendit. Trendi i pacientëve që përgatiten të kthehen është në rritje tha Taravari.
“Momentalisht nëpër spitalet e Shkupit, pacientët të cilët e përjetuan tragjedinë e Koçanit, shërohen 23 pacientë, prej të cilëve 4 janë në qendrën klinike, 6 janë në spitalit e vjetër të qytetit dhe 9 janë në 8 Shtatori, 4 pacientë janë në spitalet private. Pacientët që shërohen jashtë vendit janë 113 të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 4 pacient vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, dje u kthyen 2 pacientë ndërsa sot kthehen edhe 5 pacientë tjerë. Jashtë shtetit sonte do të mbesin vetëm 108 pacientë që shërohen.”, tha ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.
Ministri Taravari tha se gjatë ditës së nesërme pritet që të kthehen edhe 4 pacientë që trajtohen jashtë vendit dhe që janë në gjendje stabile shëndetësore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
