Botë

Kurti: Në mandatin e ri një miliard euro për ushtrinë

26.03.2025 13:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se në mandatin e ardhshëm qeveria do të ndajë për ushtrinë mbi një miliard euro...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se në mandatin e ardhshëm qeveria do të ndajë për ushtrinë mbi një miliard euro. Këto mjete do të përdoreshin për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të municionit dhe dronëve si dhe për blerjen e helikopterëve amerikan “Black Hawk”. Kurti njëherit e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme marrëveshjen për bashkëpunim në sferën e sigurisë, ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. 
 
“Në mandatin e ri ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro, do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë Made in Kosova, pra që i prodhojmë vetë. Nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me SHBA-në kemi blerë sistemin rektor anti-tank Javelin dhe do të blejmë edhe helikopterët “Black Hawk”. Javën e kaluar kemi bërë një hap mjaft të rëndësishëm për sigurinë në rajon, duke nënshkruar deklaratën trepalëshe në fushën e mbrojtjes me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kroacisë.”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”, ka deklaruar Qeveria e Kroacisë. Sipas qeverisë kroate, qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake” dhe nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
 
Por në reagimin e tij presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim.
 
GYLTENE SINANI