Maqedoni
Hetimi për zjarrin në diskotekën “Puls”, bastiset shtëpia e pronarit dhe zyra e IShT-së në Koçan
26.03.2025 13:47
Ekipi i Prokurorëve dhe MBP janë duke vazhduar hetimin dhe grumbullimin e provave për zjarrin katastrofal që përfshiu diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan...

Ekipi i Prokurorëve dhe MBP janë duke vazhduar hetimin dhe grumbullimin e provave për zjarrin katastrofal që përfshiu diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan, në të cilën tragjikisht humben jetën 59 persona e mbi 190 të tjerë u lënduan. Me këtë rast MPB bastisi shtëpinë dhe automjetin e pronarit të diskotekës “Puls” dhe zyrën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan. Gjatë bastisjes janë sekuestruar kompjuterë laptop, disa pajisje mobile dhe dokumente financiare.
“Më datë 25.03.2025, zyrtarët policorë kanë kryer bastisje në shtëpinë e D.J., automjetin e tij “Insignia” dhe dy objekte hoteliere, si dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut , Zyra në Koçan. Në shtëpinë e D.J. janë gjetur dhe konfiskuar kompjuterë laptopë, disa celularë, dokumentacion dhe sende të tjera. Në automjet dhe në ambientet e hotelerisë janë sekuestruar disa sende, si dhe janë gjetur dhe sekuestruar dokumentacion financiar. Në zyrën e ISHT-Koçan u gjetën dhe sekuestruan një kompjuter, një laptop dhe një tabletë, si dhe i gjithë dokumentacioni në lidhje me personat juridikë në pronësi të D.J..”, tha zëdhënësi i MPB-së Goce Andrevski.
Nga Prokuroria Themelore Publike pa zbuluar shumë detaje thonë se në kuadër të hetimeve për tragjedinë që ndodhi në objektin “Puls” janë kryer bastisje në gjithsej pesë lokacione në Koçan në Shkup. Përfaqësuesit e ekipeve hetimore të PThP-së dhe MPB-së të cilët koordinojnë aksionin në terren, njoftojnë se tashmë po vijon marrja në pyetje e personave që mund të kenë informacione të caktuara në lidhje me zjarrin katastrofal. PThP njëherit i dha urdhër Drejtorisë së Policisë Finansiare për marrjen e disa veprimeve lidhur me punën materiale të shumë subjekteve juridik të të dyshuarve dhe personave tjerë në këtë rast. Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin në Koçan deri më tani është 34 persona, respektivisht nën hetim janë përfshirë 27 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa procedurë hetuese ka edhe ndaj 7 nëpunësve policor nga SPB Shtip dhe Koçan.
REXHEP QAMILI
