Maqedoni
Anulohet seanca në Këshillin e Prokurorëve, nuk diskutohet për shkarkimin e Kocevskit
26.03.2025 14:04
Këshilli i Prokurorëve Publik anuloi seancën në të cilën duheshte të diskutohet për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski....

Këshilli i Prokurorëve Publik në mungesë të kuorumit anuloi seancën në të cilën duheshte të diskutohet për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski. Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska njoftoi se mungojnë tre anëtarë të Këshillit, të cilët mungesën e kanë arsyetuar për shkaqe familjare dhe shëndetësore, pa saktësuar se cilët. Kjo është hera e dytë që Këshilli I Prokurorëve e anulon seancën për shkarkimin e Kocevskit. E para më 18 Mars për shkak të tragjedisë në Koçan dhe sot për shkak të mungesës së kuorumit, derisa afatet ligjore po kalojnë.
Ndërkohë, dje Kryeministri, Hristijan Mickovski, njoftoi se procedura për shkarkimin e kryeprokurorit do të ndërpritet, për shkak të hetimit të tragjedisë në Koçan. Ai theksoi se prokurorëve duhet tu jepet mundësi për të kryer punën ndërsa paraprakisht e lavdëroi punën e prokurorisë sa I përket veprimeve dhe shtrirjes së hetimit për zbardhjen e rastit me tragjedinë në Koçan. Sa i përket qëndrimit të Mickovskit, kryetarja e Këshillit tha se për momentin nuk kanë pranuar as një shkresë nga Qeveria se ndalon procedura e shkarkimit.
Procedurën për shkarkimin e Kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, Qeveria e ka iniciuar në shkurt të këtij viti ndërsa pas kalimit në seancë të qeverisë, më 4 mars, propozimi për shkarkim ka mbërritur në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Sipas Ligjit për Prokurorët Publik, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka afat prej 15 ditësh për të vendosur nëse do të japë mendim pozitiv apo negativ lidhur me propozimin për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit. Duke qenë se ky afat ka skaduar, tani Këshilli “shfrytëzon” afatin shtesë prej 15 ditëve, të cilat ligji i lejon nëse ka arsye të justifikuara për këtë. Ky afat duhet të përfundojë më 3 prill. Fjalën e fundit për shkarkimin e kryeprokurorit e kanë deputetët.
FLORIJE BELULI KAMBERI
