Maqedoni
Kontrolle të gjëra pas tragjedisë në Koçan, Perinski: Objektet të korrigjohen ose do mbyllen
26.03.2025 14:26
Pas tragjedisë në Koçan po kryhen kontrolle në të gjitha objektet e gastronomisë dhe blloqet e banimit për të evidentuar ndonjë parregullsi...

Pas tragjedisë në Koçan po kryhen kontrolle jo vetëm në objektet publike, por edhe në të gjitha objektet e gastronomisë dhe blloqet e banimit për të evidentuar ndonjë parregullsi, njoftoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski. Sipas tij, bëhet fjalë për një aksion shumë të gjerë dhe tërësor si në nivel qendror ashtu edhe lokal, për të parandaluar dhe shmangur ngjarje tragjike, të pakëndshme në të ardhmen.
“Objekteve ku do të vërehet ndonjë parregullsi do t'u jepet një afat për ta korrigjuar, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë përdoruesve.”, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski.
Nëse objektet ku do të vërehet parregullsi nuk korrigjohen brenda një afati të caktuar, ata do të mbyllen, theksoi Perinski.
“Nëse objektet nuk e korrigjojnë parregullsinë e konstatuar brenda një afati të arsyeshëm, sigurisht që nuk do të mund dhe nuk do të kenë kushte për të vazhduar punën, dhe mendoj se do të mbyllen.”, tha Perinski.
Perinski tha se si Qeveri detyrim parësor e kanë sigurinë e qytetarëve dhe se do të punojnë në mënyrë aktive për të ndërtuar një sistem shtetëror të qëndrueshëm dhe të shëndoshë.
ARMEND MURSELI
