Maqedoni
Reagime politike, LSDM: DAP duhej të kishte mbyllur klubin “Puls”
26.03.2025 14:44
Vazhdojnë reagimet dhe përplasjet politike lidhur me hetimin e tragjedisë në Koçan...

Vazhdojnë reagimet dhe përplasjet politike lidhur me hetimin e tragjedisë në Koçan. Opozita kërkon drejtësi jo-selektive, ndërsa pushteti potencon se të gjithë të involvuarit do të marrin dënimin e merituar. Nga LSDM theksojnë se çdo ditë po dalin dokumente të reja, që nxjerrin në pah lëshime institucionale të qeverisë aktuale, një ndër to është Drejtoria e të Ardhurave Publike.
“Sipas nenit 117 nga Ligji për falimentim, nëse kompania ka xhirollogari të bllokuar prej 45 ditëve dhe nuk paguan rroga dhe kontribute për një periudhë më të gjatë, DAP ka detyrim ligjor të parashtrojë kërkesë për hapje të procedurës falimentuese dhe të propozojë masa për sigurimin e pronës. Nëse bllokimi nuk ka qenë evidentuar më 16 gusht të vitit 2024, ajo do të thotë se veçmë në fund të shtatorit DAP duhej të veprojë, ndërsa klubi është dashur të jetë i mbyllur. Por, vazhdoi të punojë dhe 59 jetë u humbën.”, u shpreh Martin Kostovski, nënkryetar i LSDM-së.
BDI: Po zbatohet drejtësi selektive
Edhe nga BDI kanë potencuar se nuk po kërkohet përgjegjësi nga funksionarët aktual, të cilët sipas BDI-së, janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë.
“Ministri i Punëve të Brendshme – 13 muaj në funksion, Drejtori i Sigurisë Publike – 9 muaj, Ministri i Ekonomisë – 9 muaj, Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut – 9 muaj, Drejtoria e të Ardhurave Publike – 9 muaj. Këta janë personat që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, institucionale dhe ligjore, për të ushtruar kontroll, mbikëqyrje dhe për të parandaluar tragjedi të këtij lloji. Këta janë njerëzit që sot kanë pushtet të ndikojnë mbi provat dhe të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve. Por asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi.”, theksojnë nga BDI.
VMRO-DPMNE: Të gjithë pa dallim, do të përgjigjen
Nga ana tjetër nga VMRO-DPMNE theksojnë se opinioni publik në vend është dëshmitar se për herë të parë, si asnjëherë më parë, institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim për të zbardhur plotësisht tragjedinë që tronditi gjithë shtetin.
“Për herë të parë, institucionet po arrestojnë, po marrin në pyetje dhe po hapin hetime, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo etnike. Në një hetim të gjerë dhe gjithëpërfshirës po shqyrtohen të gjitha shkaqet që çuan në ngjarjen tragjike në Koçan dhe të gjithë përgjegjësit po nxirren para drejtësisë. Hetimi i gjerë i organeve kompetente deri më tani ka përfshirë një numër të madh personash, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake apo etnike, qofshin ata funksionarë të tanishëm apo të mëparshëm të shtetit.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndërsa akuzave të opozitës i përgjigjen me kundër-akuza, duke thënë se për tragjeditë që ndodhën në të kaluarën nuk pat hetime gjithëpërfshirëse dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.
ERSAN PAJAZITI
