Maqedoni

Ukrainë, vazhdojnë bisedimet për ndërprerjen e luftës

26.03.2025 16:18

Është bërë përparim i madh në përpjekjen për të arritur një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë...

Është bërë përparim i madh në përpjekjen për të arritur një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë, siguron presidenti amerikan Donald Trump.Ai konfirmoi se vendet e treta do të përfshihen në procesin e monitorimit të armëpushimit. Edhe pse marrëveshja shihet si hapi i parë drejt një armëpushimi më të gjerë, ekspertët paralajmërojnë se ajo nuk do të ndryshojë situatën në terren.
 
"Ne jemi në bisedime të thella me Rusinë dhe Ukrainën. Unë do të thoja se po shkon mirë, por është një situatë që nuk duhet ta kishim menduar kurrë, nuk duhet të kishte ndodhur kurrë", u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. 
 
Pas negociatave maratonë, zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite ranë dakord për lundrim të sigurt në Detin e Zi dhe për t'i dhënë fund sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Ndër të tjera, Uashingtoni do të ndihmojë Moskën të rifitojë aksesin në tregun botëror. Zelensky nuk ka besim se Rusia do ta respektojë premtimin e saj.
 
"Si do të sillet Rusia në ditët në vijim do të tregojë shumë, nëse jo gjithçka. Nëse ka përsëri alarme ajrore, nëse ka përsëri aktivitet ushtarak në Detin e Zi, nëse ka përsëri manipulime dhe kërcënime ruse, atëherë do të duhet të merren masa të reja - veçanërisht kundër Moskës", theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Kremlini njoftoi se marrëveshja mund të hyjë në fuqi pas heqjes së kufizimeve për eksportin e produkteve ruse dhe vendosjes së sanksioneve.
 
"Ne do të kemi nevojë për garanci të qarta. Duke pasur parasysh përvojën e trishtuar të marrëveshjeve me Kievin, garancitë mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelensky dhe ekipin e tij për ta bërë këtë. Më duket se partnerët tanë amerikanë e kanë pranuar këtë sinjal", u shpreh ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov.
 
Pavarësisht asaj që u hodh në letër, nëntë dronë u shkatërruan gjatë natës në territorin rus, pesë prej tyre në rajonin e Belgorodit, dy në rajonin e Kurskut dhe dy të tjerë mbi Detin e Zi, pretendon Moska. Është e paqartë nëse dronët kishin për qëllim objektet në Detin e Zi apo thjesht fluturuan mbi ujë.
 
"Ne mund t'i përmbushim marrëveshjet nëse i përmbush edhe Rusia. Duhet të jetë nga të dyja palët. Jam i sigurt se njerëzit tanë janë të gatshëm t'i përmbushin këto marrëveshje, por nuk jam aspak i sigurt se Rusia do t'i përmbushë ato", theksoi qytetari.
 
"Unë jam optimist, besoj gjithmonë në më të mirën dhe shpresoj që këtë vit vendi të vijë deri te paqja. Amerika tha se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga diçka, do të shohim nëse edhe Rusia do të duhet të heqë dorë nga diçka", u shpreh qytetari.
 
Për paqen dhe sigurinë, presidenti francez Macron organizon të një samit me liderët evropianë. Në takim do të marrë pjesë edhe presidenti Zelenski.
 
FITORE DEMOLLI