Botë

Franca ofron mbështetje për Ukrainën

27.03.2025 09:26

Presidenti francez, Emanuel Makron, mirëpriti homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski, në Paris

Presidenti francez, Emanuel Makron, mirëpriti homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski, në Paris, ku njoftoi edhe paketën më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën. Unë mund të njoftoj sot 2 miliardë euro mbështetje shtesë ushtarake nga Franca. Kemi ofruar raketa antitank MILAN, mjete të mbrojtjes ajrore, si raketat MICA, që janë të pajisura në avionët Mirage, të cilët janë dorëzuar dhe raketa mbrojtëse tokë-ajër Mistral.”, tha presidenti i Francës.
 
Ndërkaq presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, për një televizion francez u shpreh se ShBA-ja duhet të ketë fuqi të mjaftueshme për të shtyrë Rusinë për një armëpushim të pakushtëzuar, pasi Moska parashtroi kushte për ndalimin e sulmeve në Detin e Zi të ndërmjetësuara nga Uashingtoni. Në fushën e betejës, një sulm me dron rus në Dnipro të Ukrainës shkaktoi zjarre dhe plagosi tre persona.
 
Dronët dëmtuan më shumë se 10 ndërtesa banimi, si dhe objekte arsimore dhe kulturore. Forcat ruse shënjestruan me dron Harkivin,  qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke plagosur nëntë persona dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se kishte pasur të paktën 12 sulme me dronë në qytet.