Maqedoni
Tetovë, komuna ka ulur borxhin publik për 9 milionë euro
27.03.2025 13:51
Komuna e Tetovës bashkë me ndërmarrjet publike ka ulur borxhin për 9 milionë euro...

Komuna e Tetovës bashkë me ndërmarrjet publike ka ulur borxhin për 9 milionë euro, ka deklaruar sot në një takim me gazetarët kreu i Tetovës, Bilall Kasami. Kasami tha se edhe përkundër vështirësive financiare dhe me llogari të bllokuar, komuna e Tetovës ka arritur të ulë borxhin dhe në të njëjtën kohë të bëjë investime kapitale.
“Me angazhimin tonë më tepër se trevjeçar kemi arritur që borxhin e komunës, si komunë dhe institucionet e komunës, ta ulim për 9 milionë euro. Nga 24 milionë sa ishte kur erdhëm në krye, për momentin, borxhi i komunës bashkë me shkolla, çerdhe, ndërmarrje komunale, është 15 milionë e 310 mijë euro.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërsa i pyetur për tokën e shitur publike tek ish-monopoli me një çmim simbolik, Kasami tha se bëhet fjalë për një vendim të vitit 2014. Sipas Kasamit, komuna e Tetovës nuk ka pasur mundësi ndërhyrjeje, pasi vendimi është paracaktuar shumë më herët nga Qeveria për privatizim të tokave publike me çmime simbolike.
“Si rasti i Monopolit kanë qenë disa hapësira publike, siç është rasti i Teteksit, Shik Jellakut, Monopolit, Interprometit, e të tjerë. Këto hapësira publike në bazë të vendimit të Qeverisë për privatizim, janë shitur me çmime simbolike në krahasim me çmimin e tregut. Ka qenë një proces i përcaktuar shumë më herët dhe për të komuna e Tetovës nuk ka pasur mundësi të veprojë ndryshe. Aty ku kemi pasur mundësi ta ndalojmë uzurpimin e pronës publike e kemi ndalur dhe e dini që tek Shik Jellaku me ardhjen tonë e pezulluam dhe e kthyem procesin nga fillimi. E kam këtu vendimin e privatizimit dhe është realizuar në vitin 2014.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami ka theksuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet për tre projektet kapitale që janë fituar nga Qeveria, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për lagjen 146 dhe UÇK, rrjetin e ujësjellësit në lagjen jashtë Vardarit dhe ndërtimin e shkollës së mesme tekstile.
VISAR SADIKI
