Rajon

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Kenia, përplasje diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë

27.03.2025 14:04

Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar pasi Serbia e ka konsideruar një “akt armiqësor” njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar pasi Serbia e ka konsideruar një “akt armiqësor” njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia. Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i shpërfillur edhe zotimet ndaj BE-së dhe duke shkelur Marrëveshjen Bazike, të arritur në Bruksel, vlerëson Ministria e Jashtme e Kosovës. 
 
“Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit.”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
 
Paraprakisht, Ministria e Jashtme e Serbisë ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij akti.
 
“Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
 
Republika e Kenias e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën, duke u bërë kështu shteti i 118, që e njeh shtetësinë e Kosovës. Për njohjen e pavarësisë së Kosovës presidenti kenian, Uilliam Ruto, e ka njoftuar zyrtarisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
GYLTENE SINANI