Maqedoni

RMV-ja pesë vjet anëtare e NATO-s, Mucunski: Dëshmuam partneritet dhe angazhim

27.03.2025 14:19

5-vjetori i Maqedonisë së Veriut në NATO dëshmoi partneritet të besueshëm të Aleancës...

5-vjetori i Maqedonisë së Veriut në NATO dëshmoi partneritet të besueshëm të Aleancës dhe në bashkëpunim me fqinjët solli dinamikë të re politike në rajon, tha ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, me këtë rast, i cili mes tjerash potencoi se politika e jashtme mbetet e ndërtuar në tri konstanta: integrim në NATO, harmonizimi i tërësishëm me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe partneriteti strategjik me ShBA-në. Qëllimi mbetet që rajoni të shndërrohet në sinonim të stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik, shtoi Mucunski.

“Si qeveri e përgjegjshme, në tërësi e kuptojmë nevojën se Evropa duhet patjetër të ndërmarrë përgjegjësi më të madhe, përfshirë edhe për këtë rajon. Vlerësojmë se ne në Ballkanin Perëndimor duhet të tregojmë vetëdije më të madhe dhe ta kuptojmë realitetin e ri. Kjo nënkupton që të kontribuojmë në përputhje me rrethanat e realitetit të ri dhe ta japim angazhimin tonë. Për ne është me rëndësi se NATO-ja dhe BE-ja e njohin rëndësinë strategjike të këtij rajoni.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Ismaili: Reformat na dërguan në aleancë
 
Rruga deri në NATO ishte sfiduese, por rrethanat e tilla nuk u bënë pengesë për realizimin e qëllimeve, vlerësoi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili.
 
“Kjo nuk është vetëm arritje formale, por edhe dëshmi për përkushtimin tonë për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Këto arritje erdhën si rezultat i angazhimit të reformave në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe demokracisë.”, - theksoi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili.
 
Kryediplomati Mucunski, duke folur në takimin e punës me ambasadorët e shteteve anëtare të aleancës lidhur me sigurinë ndërkombëtare, tha se implikimet ruse nga lufta në Ukrainë nuk janë vetëm rajonale, por edhe globale, i cili potencoi gatishmërinë për mbrojtje dhe përgjegjësi kolektive, që sipas tij kërkon koordinim mes palëve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU