Maqedoni
Tragjedia në Koçan, opozita kërkon formimin e Komisionit Anketues
27.03.2025 14:47
Opozita parlamentare kërkon që trajtimi i tragjedisë në Koçan të zhvendoset edhe në Kuvend....

Opozita parlamentare kërkon që trajtimi i tragjedisë në Koçan të zhvendoset edhe në Kuvend. Fronti Evropian dhe LSDM kërkojnë formimin e komisionit të posaçëm për të kërkuar përgjegjësi politike. Nga Fronti vlerësojnë se komisioni duhet të nxjerrë në pah qasjen selektive, sipas tyre të kontrolluar nga Qeveria.
“Ky komision duhet të ngrihet menjëherë dhe të përfshijë përfaqësues të OSBE-së, ambasadave të ShBA-së dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në cilësinë e vëzhguesve, me qëllim garantimin e një hetimi të drejtë, të pavarur dhe transparent. Drejtësia selektive ka krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikon themelet e shtetit të së drejtës dhe të besimit qytetar ndaj institucioneve.”, thonë nga Fronti Evropian.
Nga LSDM vlerësojnë se Komisioni Anketues duhet t’i vë pikën drejtësisë selektive dhe t’i hapë rrugën përballjes me faktet, pasi tragjikisht u shuan 59 jetë. Socialdemokratët vendimin e morën në mbledhjen e komitetit qendror të partisë.
“Qëllimi është që të flitet për përpjekjet për të heshtur opinionin, andaj do të duhet që edhe mekanizmi i Komisionit Anketues të shfrytëzohet, jo si parti, por si kërkesë e qytetarëve. Ne kemi vesh për kërkesat qytetare dhe obligimi ynë është që të shfrytëzojnë ato mekanizma me të cilat disponojmë si opozitë, për të thënë se përfundimisht do të duhet të nisë jo vetëm përballja me faktet, por edhe mbartja e përgjegjësisë.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Kristina Kostova.
Formimi i Komisionit Anketues, VMRO: Hetimi s’do koment, pasi ende vazhdon
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM nuk është e denjë të mbajë leksione për drejtësi dhe ta kërkojë të njëjtën. Sipas tyre, Komisioni Anketues nuk është mekanizëm hetimi.
“Kuvendi nuk ka kurrfarë autorizimi hetues dhe policor. Nuk jam i sigurt që edhe në këtë moment është e mundur që të komentohet hetimi pasi ende nuk ka përfunduar. Prokuroria po ngre padi penale, ka bastisje, si dhe vazhdojnë arrestimet. Të presim se çfarë do të shpikin LSDM dhe BDI dhe më pas do të dalim me qëndrim.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
Partitë maqedonase përplasen edhe rreth besueshmërisë së kryeprokurorit, Kocevski. LSDM thotë se drejtësi nuk mund të ketë, përderisa Kocevski bëhet i përshtatshëm për Mickoskin. Ndërkaq nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se si është e mundur që opozita të ketë dyshime në kryeprokurorin, të cilin e zgjodhën vetë.
MERAL ISMAILI
