Maqedoni
VLEN, bashkë apo ndaras në zgjedhjet lokale!?, Kasami: Ose shkojmë bashkë, ose ndonjëra e vetme
27.03.2025 15:26
Kanë mbetur edhe gjashtë muaj deri në zgjedhjet lokale, ndërsa partitë politike kanë filluar kalkulimet dhe analizat e tyre brenda koalicioneve qeveritare....

Kanë mbetur edhe gjashtë muaj deri në zgjedhjet lokale, ndërsa partitë politike kanë filluar kalkulimet dhe analizat e tyre brenda koalicioneve qeveritare. Kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, bëri të ditur disa qëndrime të diskutuara brenda koalicionit VLEN. Ai tha se shumica e partnerëve mbështesin idenë që edhe në zgjedhjet lokale, ashtu si në ato parlamentare, të garojnë së bashku. Megjithatë, siç tha, për dallim nga Arben Taravari që kërkon që në listat për këshilltarë, ASh-ja të shkojë e vetme.
“Aleanca duhet të vendosë. Do të jetë pjesë e koalicionit edhe për listat edhe për kandidatët ose do të jetë veçmas, sepse qëndrimi i pjesës tjetër i koalicionit dominon që koalicioni duhet të shkojë bashkë, nuk mund të ketë kandidatët veçmas dhe lista për këshilltarë veçmas. Ose do të shkojmë bashkë, ose ndonjë subjekt do të duhet të shkojë i veçuar në këto zgjedhje, në këtë rast, nëse një vendim të tillë do të sjellë ASh-ja.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Taravari: Jam optimist se do të dakordohemi
Këtë qëndrim e ka konfirmuar edhe vetë Taravari se në takimin e liderëve të VLEN-it ka këmbëngulur që partitë të kenë lista të veçanta në zgjedhje.
“Unë edhe kam insistuar në negociata që të kemi listë të veçantë si ASh, por edhe partitë e tjera, sepse motivojmë shumë më shumë njerëz që të jenë të angazhuar në zgjedhjet lokale, por e shohim e bëjmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, kemi raporte korrekte, kështu që jam optimist se do të gjejmë gjuhë të përbashkët.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Ndërkohë, Taravari mohoi zërat se ka kërkuar që 40% e kandidatëve për kryetarë komunash të jenë nga ASh-ja. Ai shtoi se shumë shpejt Aleanca për Shqiptarët do të marrë një qëndrim përfundimtar dhe do ta njoftojë opinionin për vendimet e saj.
ARMEND MURSELI
