Ngjarja tragjike në Koçan, paraburgim shtëpiak për dy ish-kryetarët
Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme...

Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje të reja për atë se nëse edhe më tej do të zgjerohet hetimi për ngjarjen tragjike në Koçan. Informojnë se veprimet e hetimit janë në vijim me dëgjimin e dëshmitarëve të rinj dhe analizën e dëshmive të reja.
Duke vepruar pas ankesave të parashtruara nga gjithsej 17 të dyshuar, Gjykata Themelore e Koçanit ka refuzuar ankesat e 14 personave dhe ka vërtetuar masën e paraburgimit. Për 3 të dyshuar në mesin e të cilëve drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe dy ish-kryetarë të komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski dhe Nikollço Iliev, masa u është zëvendësuar me paraburgim shtëpiak.
Ndërkohë, kryetari i fundit që ka dorëheqje, Lupço Papazov, mbetet në paraburgim. Mbetet të vendoset edhe për tre ankesa për paraburgim.
Për dy ish-kryetarët e komunës së Koçanit, Prokuroria në Koçan ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Shtip dhe ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit efektiv, ndërsa sa i përket drejtoreshës së Inspektoratit të Tregut, sipas Prokurorisë, ajo në ankesë ka theksuar rrethana dhe arsye për të cilat Prokuroria pajtohet që masa e paraburgimit shtëpiak është adekuate.
Për këtë rast të dyshuar janë 34 persona fizikë dhe 3 juridikë. Të dyshuarit ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Po hetohen edhe veprimet për mito, si dhe sigurimin mjeteve piroteknike në mënyrë kundërligjore. Nëse gjatë hetimit sigurohen dëshmi të reja në procedurë do të përfshihen edhe persona të tjerë.
Në zbardhjen e rastit marrin pjesë 11 prokurorë, do të dëgjohen rreth 300 dëshmitarë. (Florije Kamberi, TVM2)
