Shqipëri, fushatë para fushatës zgjedhore
Nga janari i vitit 2026 paga minimale do të shkojë në 500 euro...

Nga janari i vitit 2026 paga minimale do të shkojë në 500 euro nga 400, që është aktualisht. Kjo është vetëm një pjesë nga programi i Partisë Socialiste, që kryeministri Rama e zbuloi në rrjetet sociale.
“Në qershor do ta bëjmë 500 euro dhe do të futet në efekt nga janari i vitit 2026. Shumica e bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale sot. Kur ne morëm detyrën, pagën mesatare në sektorin publik e kishim 372 euro, sot në 2024 e mbyllëm me 1 mijë euro pagën mesatare. Kemi bërë një rritje shumë të lartë, po të them që pagën mesatare të përgjithshme e kishim 322 euro dhe sot e kemi 830 euro e përgjithshmja. Po pagën minimale?! E kishim 157 euro, e kemi 400 euro.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Por, për kreun demokrat Sali Berisha, ky premtim është qesharak.
“Kujtohet pas 1 viti rrogë minimale 500 euro, thotë rrogë 500 euro, kush të pengoi ty që ta bëje? Sot për çështjet civile duhet të presësh 10 vjet apo 15 vjet dhe kjo nuk po vjen duke u pakësuar. Ishin 130 mijë dosje, tani janë 150 mijë dosje.”, - theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Fushata duket se ka nisur shumë kohë para afatit zyrtar, ndërsa më aktiv duket kryeministri, Edi Rama, me disa dalje në ditë.
Ndërkohë ish-kryetari demokrat, Lulzim Basha, ka një qasje ndryshe në këtë fushatë, me batuta në rrjetet sociale, drejtuar kryeministrit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
