Lufta Rusi – Ukrainë, në Paris diskutohet për paqen në Ukrainë
Çështja e dërgimit të trupave në territorin ukrainas...

Çështja e dërgimit të trupave në territorin ukrainas, në rast të një armëpushimi me Rusinë dhe marrëveshja për ndihmën ushtarake për Kievin, ishin në qendër të diskutimeve në samitin e “Koalicionit të gatshëm për paqe dhe siguri” në Ukrainë. Presidenti francez, Emanuel Makron, theksoi se qëllimi është paqja afatgjate.
“Pra, ne nuk jemi në vijat e para të frontit, nuk shkojmë për të luftuar, por jemi aty për të garantuar paqe afatgjate. Ky është një qëndrim pacifist. Dhe, ata të vetmit që në këtë moment mund të shkaktojnë një konflikt, një situatë ushtarake, do të ishin rusët nëse vendosin të fillojnë përsëri agresionin. Kjo është korniza e fortë me të cilën po ecim përpara. Ky është një tekst francezo-britanik.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Po ashtu, në Francë ndodhet edhe presidenti ukrainas. Zelenski theksoi rëndësinë e një kontingjenti të huaj që mund të ndihmojë në ruajtjen e paqes, në rast të një armëpushimi me Rusinë.
“Asnjë nuk do të dojë t’i tërheqë vendet e tjera në luftë. Kontingjenti është shumë i rëndësishëm për kontrollin. Së pari, çdo kontingjent përbëhet nga njësi luftarake, por ato janë kryesisht të destinuara për të kontrolluar situatën, për ta monitoruar, për të bërë trajnime të përbashkëta dhe gjithashtu për të parandaluar çdo dëshirë të Rusisë për t’u kthyer me valë të reja të agresionit.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rute, bëri thirrje për unitet, ndërkohë që kombet evropiane po armatosen dhe rrisin industrinë e tyre mbrojtëse.
Besimi midis 32 shteteve anëtare të aleancës është në një nivel të ulët të ri, pasi ShBA-ja paralajmëroi se Evropa duhet të kujdeset për sigurinë e saj në të ardhmen.
“Kur bëhet fjalë për sigurinë e Evropës dhe Amerikës së Veriut, nuk ka alternativë për NATO-n. Pa ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë, Norvegjinë dhe Islandën, është e pamundur të imagjinohet mbrojtja e Evropës dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë çatinë bërthamore amerikane, garantin e fundit për sigurinë tonë.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
ShBA-ja njoftoi të martën se kishin arritur një marrëveshje me Ukrainën dhe Rusinë për kalimin e sigurt të anijeve në Detin e Zi dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Kremlini pretendon se do ta zbatojë marrëveshjen pas heqjes së sanksioneve perëndimore dhe kthimit të Rusisë në tregun global. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, luftimet vazhdojnë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
