Rajon
Osmani: Së shpejti data për konstituimin e Kuvendit
28.03.2025 13:23
Osmani ka bërë të ditur se Komisioni e ka njoftuar zyrtarisht me rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit....

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare, presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Komisioni e ka njoftuar zyrtarisht me rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Presidentja Osmani ka 30 ditë afat për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitjen e kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund të jap një datë, sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta kemi.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Hamza: Nëse nuk e formon Kurti, jam i gatshëm ta formoj Qeverinë e re
Fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka rezultuar partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar 48 mandate deputetësh. Kurti në paraqitjet e deritanishme është shprehur se do të formojë edhe Qeverinë e re. Por, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, partia e të cilit është radhitur e dyta duke fituar 24 deputetë, ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë me partitë opozitare, nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje.
“Jemi në biseda edhe më LDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera. Nëse vjen radha, unë jam i përgjegjshëm dhe i përkushtuar që vendit t’i japim institucionet. Me disa parti jemi në rregull, jemi në fazën e diskutimeve. Me LDK-në ende nuk kemi mbërri në atë fazë që të diskutojmë formulën e formimit të Qeverisë.”, - deklaroi Bedri Hamza nga PDK.
Hamza tha se me Lëvizjen Vetëvendosje deri në këtë moment nuk kanë komunikim zyrtar. Për formimin e Qeverisë së re nevojitet shumicë parlamentare prej të paktën 61 deputetësh. Në bazë të rezultateve përfundimtare krahas Vetëvendosjes, e cila ka siguruar 48 deputetë dhe PDK-së - 24, LDK-ja ka fituar 20 deputetë, AAK-ja - 5 deputetë dhe Nisma e Fatmir Limajt - 3 deputetë. Minoritetet kanë 20 deputetë edhe atë 10 minoritetet jo serbe, 9 Lista Serbe dhe një deputet partia serbe e udhëhequr nga zëvendës kryeministri aktual, Nenad Rashiq.
GYLTENE SINANI
