Botë

Tërmet në Mianmar, Tajlandë dhe Kinë, janë raportuar viktima dhe të zhdukur

28.03.2025 13:38

Një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter ka goditur Mianmarin....

Një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter ka goditur Mianmarin. Një tjetër pasoi 12 minuta më vonë. Tërmeti po ashtu tronditi tokën në Tajlandë dhe Kinë. Në Bangkok u dëgjuan sirenat e evakuimit. Nga fuqia e tërmetit është shembur një godinë shumëkatëshe në ndërtim e sipër. Janë raportuar viktima dhe të zhdukur. Dhjetëra të plagosur u nxorën nga rrënojat. Qyteti me 17 milionë banorë ishte përkohësisht pa linja telefonike dhe internet, njerëzit po kërkojnë të dashurit e tyre në panik. Një grua amerikane që jeton prej 28 vitesh në Bangkok thotë se nuk kanë parë kurrë më parë diçka të tillë.
 
"Isha ulur në karrigen kur papritmas gjithçka filloi të lëvizte, godita kokën. Kjo nuk është hera e parë që ndjeva një tërmet këtu, më kujtohet ai i vitit 2004 kur ndodhi cunami dhe tërmeti në Sumatra, pastaj ndërtesa u lëkund për gati 30 minuta, por asnjëherë aq e fortë sa tani.", - tha një amerikane në Bangkok, Deborah Panmachet.
 
Kryeministri i Tajlandës, Shinauatra, e shpalli qytetin zonë emergjence. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë.
 
"Kryeministri po kthehet menjëherë në Bangkok dhe po i kërkon publikut të shmangë ndërtesat e larta, të përdorë vetëm shkallët dhe të qëndrojë i qetë. Të gjitha agjencitë qeveritare janë informuar dhe shkollat janë udhëzuar që t'i dërgojnë fëmijët në shtëpi herët.", - tha zyra e kryeministrit në një deklaratë.
 
Edhe turistët dëshmuan për kaosin e paprecedentë.
 
"Isha në qendër tregtare kur krejt papritur e gjithë ndërtesa filloi të lëvizte. Kishte ulërima dhe panik, njerëzit vraponin në drejtime të ndryshme, dëgjonim krismat e objekteve që binin.", - u shpreh turisti, Fraser Morton.
 
"Isha ulur në lokal dhe papritmas ndjeva një lëvizje, pastaj të gjithë ishin në rrugë. Njerëzit po bërtisnin, pashë ndërtesën duke u lëkundur dhe uji që derdhej prej saj, pastaj më kapi vërtet paniku.", - tha turisti nga Anglia, Paul Vinsent.
 
Në Mianmar është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, por qasja në informacion është e vështirë, për shkak të sundimit të juntës ushtarake. Pas regjistrimeve në rrjetet sociale, vërehen dëme të mëdha në rrugë, duke përfshirë edhe urën që u shembur Ava – më e famshmja dhe më e gjata në vend. Sipas njoftimeve paraprake, lëkundjet e para kanë qenë në një thellësi prej 10 kilometrash. Mediat raportojnë se është ndjerë edhe në Bangladesh, Indi dhe Laos.
 
FITORE DEMOLLI