Maqedoni
VLEN: Komision hetimor për të gjitha tragjeditë
28.03.2025 14:11
Koalicioni VLEN kërkon formimin e një komisioni hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit...

Koalicioni VLEN kërkon formimin e një komisioni hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit. Konsiderojnë se drejtësia duhet të vlejë për të gjitha viktimat dhe të mos jetë selektive vetëm për Koçanin, sikurse pretendon BDI. Nga VLEN thonë se kërkesa e BDI-së ka për qëllim fshehjen e së vërtetës, pasi sipas tyre, vetë BDI shkatërroi sistemin e drejtësisë në të kaluarën.
“VLEN-i nuk do të lejojë që e vërteta të manipulohet! Kërkojmë komision hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit – nga Llaskarca, spitali modular, “Besa Trans”, e deri te Koçani. Nuk do të lejojmë që BDI të vendosë se cilat viktima meritojnë drejtësi dhe cilat duhet të harrohen! Mjaft më me manipulime! Qytetarët e dinë kush e krijoi këtë sistem të korruptuar dhe kush e ka mbuluar padrejtësinë për vite me radhë.”, thonë nga VLEN.
BDI: KE-ja të dërgojë ekspertë ligjorë për Koçanin
BDI fton Komisionin Evropian të përfshihet në hetime, pasi ditë më parë kërkoi formimin e komisionit parlamentar për përcaktimin e përgjegjësisë politike të tragjedisë në Koçani. Integristët vlerësojnë se Evropa me dërgimin e ekspertëve ligjorë do ta ndihmojnë komisionin.
“Ne do t’i drejtohemi Komisionit Evropian me kërkesën që një ekip ekspertësh të ndjekë nga afër këtë farsë hetimore, ku Qeveria akuzon gjithçka dhe këdo rreth saj vetëm për të mbrojtur ata që ishin përgjegjës për të parandaluar këtë tragjedi. Në zinxhirin e fajtorëve, çuditërisht, nuk përfshihet edhe ministri i Brendshëm, i cili 13 muaj para tragjedisë ishte në dijeni për ekzistencën e një klubi ilegal të natës, si dhe Inspektorati Shtetëror dhe Administrata Tatimore, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë.”, thonë nga BDI.
Edhe LSDM-ja në të njëjtën vijë me BDI-në, duke konsideruar se me komisionin anketues do të nisë përballja me faktet dhe mbartja e përgjegjësisë.
MERAL ISMAILI
