Maqedoni

Maqedonia e Veriut shënon 5-vjetorin e anëtarësimit në NATO

28.03.2025 14:26

Institucionet më relevante të vendit kanë shënuar 5-vjetorin e anëtarësimit të RMV-së në Aleancën e NATO-s..

Institucionet më relevante të vendit duke përfshirë presidenten e vendit, Gordana Siljanovska Davkova; ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, dhe komandantin Suprem të Armatës, Sashko Lafçiski, me një event kanë shënuar 5-vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s. Ky manifestim filloi me një minutë heshtje për nder të viktimave të zjarrit në Koçan. Shefi i shtatmadhorisë së armatës dhe komandanti i Komandës së NATO-s në Napoli, u shprehën të gatshëm t’i ndihmojnë familjarëve.
 
“Kjo humbje është dhimbje e thellë për familjet, por jo vetëm, është dhimbje për të afërmit dhe të gjithë popullin, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe forcë që të vazhdojnë përpara. Nga kjo foltore i dërgojmë porosi, se ato nuk janë të vetëm, sepse lufta e tyre është edhe lufta jonë. Por, në këto momente të vështira kemi parë edhe shpresën, kemi parë trima dhe trimëresha, të cilët edhe pse të rinj treguan forcë, guxim, duke shpëtuar jetën e të tjerëve, duke rrezikuar veten e tyre.”, - deklaroi shefi i shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral major Sashko Lafçiski. 
 
“Dua që ta përkujtojmë zjarrin e frikshëm dhe tragjik në Koçan dhe mendjet tona janë thellë tek familjarët e tyre, prandaj Aleanca e NATO-s do të jetë çdoherë me ju, dhe në këtë kohë duhet të jemi solidarë dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin.”, - theksoi komandanti i Forcave të Komandës së NATO-s në Napoli, admirali Stjuart Munç.
 
Në shënimin e 5-vjetorit të anëtarësimit të RMV-së në Aleancën e NATO-s, në fjalimin e saj presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, ka theksuar se vendi ynë ka treguar se jemi partner i besueshëm i Aleancës së NATO-s, duke marrë pjesë rregullisht në misionet e paqes. 
 
“Si vend duhet të investojmë në kapacitetet tona të mbrojtjes dhe të sigurisë, do të vazhdojmë të japim kontribut për qetësinë në të gjithë globin, duke marrë pjesë në misionet e paqes të udhëhequra nga NATO-ja dhe nga Kombet e Bashkuara. Do të bëjmë një harmonizim të standardeve tona me ato të NATO-s dhe me politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së Unionit Evropian.”, - u shpreh presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
“NATO-ja nuk është vetëm një aleancë politiko-ushtarake, nuk është vetëm organizatë, e cila i mbron kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare. NATO-ja është aleancë, që përpos dallimeve të shumta, e ka një domethënie të përbashkët e ajo është kujdesi dhe mbrojtja për njëri-tjetrin. Dhe kjo është vlera më e madhe që ka aleanca e NATO-s, është shtylla që na mbanë të drejtë dhe të paluhatshëm edhe në momentet më të vështira.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. 
 
Në fund, 30 pjesëtarëve të Armatës së vendit tonë të cilët ishin pjesë e misioneve të NATO-s në Romani, Bullgari dhe Letoni iu dhanë medalje e NATO-s për zgjuarsi, medalje ky i cili është krijuar në vitin 2024. Ndërsa pjesë e eventit të sotshëm ishin edhe stërvitjet ushtarake, të cilat u demonstruan para krerëve të shtetit dhe korit diplomatik, ku pjesëtarët e Armatës treguan aftësi dhe gatishmëri.   
 
FITIM KRYEZIU