Maqedoni
Hetimi për tragjedinë në Koçan vazhdon, dy ish-kryetarët mbesin në paraburgim shtëpiak
28.03.2025 15:01
Gjykata e Apelit në Shtip vlerëson se ankesat ndaj paraburgimit shtëpiak për dy ish-kryetarët e komunës së Koçanit janë të palejuara pranë kësaj gjykate...

Gjykata e Apelit në Shtip vlerëson se ankesat e Prokurorisë Themelore Publike - Koçan ndaj paraburgimit shtëpiak për dy ish-kryetarët e komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski dhe Nikolço Iliev, janë të palejuara pranë kësaj gjykate. Kjo nënkupton se do të vlejë vendimi i Gjykatës në Koçan dhe do të vazhdojë masa e paraburgimit shtëpiak. Ndërkohë sa i përket ankesës së ish-kryetarit, Ratko Dimitrovski, për marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit, ata referojnë se këtë kërkesë duhet ta vendosë Gjykata në Koçan.
Vendimit në fjalë i paraprinë Gjykata Themelore në Koçan, e cila pranoi ankesat e kryetarëve të dyshuar dhe masën e paraburgimit efektiv prej 30 ditësh ua zëvendësoi me paraburgim shtëpiak.
Po ashtu, paraburgimi efektiv është zëvendësuar me paraburgim shtëpiak edhe për ish-drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska, për të cilën Prokuroria nuk ka bërë ankesë, pasi që ka vlerësuar se masa e paraburgimit shtëpiak është adekuate. Për momentin në paraburgim qëndron kryetari aktual i komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqje nga posti pas tragjedisë.
Për këtë rast paralelisht po zhvillohen dy hetime, një në Shkup dhe një në Koçan, ku të dyshuar janë 34 persona fizikë dhe 3 juridikë. Të dyshuarit ngarkohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Nëse gjatë hetimit sigurohen dëshmi të reja, në procedurë do të përfshihen edhe persona të tjerë. Në zbardhjen e rastit marrin pjesë 11 prokurorë.
FLORIJE KAMBERI
