Maqedoni
“Platforma kundër korrupsionit” kërkon hetim rrënjësor për rastin e Koçanit
28.03.2025 15:50
Rasti i fundit i zjarrit në Koçan është vetëm një nga shumë ngjarjet që tregojnë thellimin e korrupsionit në vend....

Rasti i fundit i zjarrit në Koçan është vetëm një nga shumë ngjarjet që tregojnë thellimin e korrupsionit në vend. Fatkeqësisht, pas rasteve të tjera – si ai në Llaskarcë, rasti i “Besa Trans-it”, zjarri në spitalin modular - Tetovë, duhej të ndodhte edhe ky zjarr në Koçan, për të na kujtuar se sistemi është rrënuar dhe se jetesa në këtë realitet po bëhet gjithnjë e më e vështirë, u shprehën anëtarët e Platformës e Organizatave Civile për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët kërkojnë reforma të thella në gjyqësor.
"Ajo që po diskutojmë lidhet me pronësinë dhe nevojën për një reformë urgjente të politikës penale, veçanërisht për veprat e lidhura me korrupsionin. Narrativi kryesor që rrethon këtë rast, përfshirë tragjedinë në Koçan, është se sistemi ka dështuar për shkak të korrupsionit të thellë dhe veprimeve të pandërprera korruptive. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se, të paktën deri më tani, shumë pak nga personat e përfshirë në këtë rrjet të dyshuar për korrupsion janë mbajtur përgjegjës.”, - deklaroi Darko Avramovski nga koalicioni "Të gjithë për një gjykim të drejtë”.
“Mungesa e përgjegjësisë dhe zbatimi i ligjit në mënyrë selektive janë bërë tashmë një normë, duke i kthyer tragjeditë në diçka të zakonshme, ndërsa besimi në institucione është dëmtuar rëndë. Për këtë arsye, platforma paraqet një sërë kërkesash konkrete ndaj institucioneve përgjegjëse, duke pritur që ato të zbatohen në afatin më të shpejtë të mundshëm.”, - theksoi Snezhana Kamilovska Tërpovska nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Përveç hetimeve penale dhe përgjegjësisë individuale, ky rast përfshin një sërë institucionesh dhe organesh, të cilat janë përgjegjëse për dhënien e licencave, kryerjen e kontrolleve dhe mbikëqyrjen e detyrueshme. Prandaj, presim që të gjitha institucionet dhe organet përkatëse të ndërmarrin masa konkrete për të sqaruar arsyet e këtij dështimi sistematik, u shprehen përfaqësuesit e kësaj platforme.
FARIJE DAUTI BAKIJU
