Begaj mirëpret Pellegrinin, Sllovakia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

28.03.2025 16:37

Në vizitën e parë të një presidenti sllovak në Shqipëri...

Në vizitën e parë të një presidenti sllovak në Shqipëri, Peter Pellegrini, dhe homologu, Bajram Begaj, u zotuan për një bashkëpunim të fortë në fushën ekonomike, të turizmit dhe industrisë ushtarake.

Presidenti Begaj foli për integrimin në BE dhe ambicien që Shqipëria të anëtarësohet deri në vitin 2030.

“Kjo vizitë mbart një simbolikë të veçantë, ajo është vizita e parë e një presidenti sllovak në Shqipëri, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe është një tregues i rëndësishëm, jo vetëm i miqësisë mes dy popujve tanë, por edhe i dëshirës për ta zgjeruar e forcuar atë.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Mbështetje për integrimin ofroi edhe homologu i tij sllovak, i cili sqaroi edhe pozicionimin e vendit të tij karshi Kosovës, të cilën nuk e ka njohur ende.

“Shqipëria ka bërë progres në rrugën kundrejt anëtarësimit, vlerësojmë progresin, reformat gjithçka keni bërë. Angazhimin për Shqipërinë se një ditë do të jetë anëtare e BE-së, ne ia kemi dhënë popullit të Shqipërisë. Është koha që të realizojmë këtë premtim, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar të jenë anëtarë të denjë të BE-së. Ne bazuar në merita duhet të vazhdojmë këtë proces dhe Sllovakia i mbështet të gjithë kapitujt në vitin 2025 dhe do të jetë ndihmëse në këtë pikëpamje pasi të keni mbushur të gjitha kushtet.”, - theksoi presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Pellegrini tha se pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian nuk është i plotë. (Luljeta Ndoka, TVM2)