Maqedoni
Reagime politike: Takimi i liderëve, i nevojshëm apo jo?!
29.03.2025 15:54
Se çfarë do të diskutohet në takimin e liderëve, lideri social-demokrat Venko Filipçe...

Se çfarë do të diskutohet në takimin e liderëve, lideri social-demokrat Venko Filipçe do ta njoftojë javën e ardhshme kur zyrtarisht do t'ia dërgojë kërkesën për takim kryeministrit Mickoski dhe liderëve të partive të tjera. Nga LSDM thonë se mbi të gjitha duhet biseda për tragjedinë e Koçanit, por në tavolinë do të jenë edhe tema të tjera.
“Për të gjitha detajet e takimit të liderëve, opinionin do ta informojmë gjatë javës së ardhshme, përkatësisht opinionin do ta informojë kryetari i partisë. Vlerësojmë se diçka e tillë duhet të ndodhë, që të mundet ky shtet të ngritet në këmbë dhe të fillojë ti zgjidh problemet që po paraqiten në përditshmëri”, u shpreh Kaja Shukova nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE thonë se janë të gatshme për çdo iniciativë që do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të tragjedisë në Koçan, por propozimi i LSDM-së ende nuk ka arritur në qeveri. Ndërkohë VLEN nuk përkrah iniciativën e kreut të LSDM_së, duke thënë se Filipçe nuk ka kredibilitet për të kërkuar një gjë të tillë.
Këtë qëndrim e theksoie edhe njëri prej eksponentëve kryesorë të VLEN-it, Arben Taravari, i cili tha se nuk ka arsye për një takim të tillë.
“Mendojmë se ka institucione që funksionojnë, mendojmë se nuk është momenti dhe nuk e di se çfarë do tëbënim në atë takim, kur institucionet pa ndalur punojnë edhe për trajtimine këtyre personave, por edhe për tu gjetur fajtorët për ndodhitë e këtilla, që po ndodhin në Maqedoni”, theksoi Arben Taravari nga VLEN.
Nga BDI theksojnë se fillimisht duhet të formohet një komision parlamentar me mbikëqyrje ndërkombëtare dhe më pas të shqyrtohen hapat e tjerë.
“Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që nuk dëshirojnë që një nga tragjeditë më të mëdha në vend të përfundojë me farsën më të madhe juridike të drejtësisë selektive dhe robërimit të shtetit, të nënshkruajnë sot nismën e “Frontit Evropian” për themelimin e këtij komisioni”, theksojnë nga BDI.
Përndryshe Filipçe ka thënë se në takimin e liderëve do të prezantojë planin e tij.
ERSAN PAJAZITI
