Botë
Mianmarin, mbi një mijë të vdekur nga tërmeti shkatërrues
29.03.2025 17:10
Azia në ditë zie. Mbi një mijë të vdekur dhe më shumë se 2700 të zhdukur...

Azia në ditë zie. Mbi një mijë të vdekur dhe më shumë se 2700 të zhdukur pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin. Kërkimet vazhdojnë nën rrënoja. Banorët e kaluan natën në frikë, tronditje dhe mosbesim. Qindra shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar. Miliona njerwz mbetën pa energji elektrike.
"Kur ra tërmeti, klasa po dridhej fort. Mësuesit evakuuan shpejt nxënësit", u shpreh banori.
"Kam qenë në patrullë si roje sigurie gjatë tërmetit. Ishte hera e parë në jetën time që ndjeva një tërmet kaq të fortë. Nuk kam përjetuar më parë diçka të tillë. Nuk ka pasur dëme në shtëpi, por fëmijët e mi ishin të tmerruar dhe ende ndihen të çorientuar", theksoi banori.
Junta që drejton vendin ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa rajone dhe ka bërë një kërkesë të rrallë për ndihmë ndërkombëtare. Pavarësisht rrjedhës së ngadaltë dhe të kufizuar të informacionit që dilte nga vendi, agjencitë e huaja sugjerojnë që këshilli ushtarak të vazhdojë sulmet ajrore pas tërmetit.
Luftimet në vend kanë vazhduar për më shumë se katër vjet midis ushtrive ushtarake dhe etnike dhe grupeve të armatosura të rezistencës.
"Numri i të vdekurve do të rritet. Në disa vende, ndërtesat janë shembur dhe operacionet e shpëtimit po vazhdojnë. Unë do të doja t'i kërkoja njerëzve tanë të na ndihmojnë, ne duhet të ofrojmë operacione shpëtimi. Unë kam shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjitha rajonet e prekura. Do të doja të ftoja çdo organizatë, çdo popull për të ofruar ndihmë", u shpreh kreu i qeverisë ushtarake Myan, Min Aung Hlaing.
Bota u bashkua në mbështetje të të prekurve. India, Kina, Rusia, Koreja e Jugut po dërgojnë shpëtimtarë dhe ndihma humanitare për popullsinë e prekur. Pavarësisht shkurtimeve të mëdha të ndihmës së huaj, Uashingtoni ka njoftuar se është gati të ndihmojë.
OKB-ja theksoi se tërmeti do të përkeqësonte situatën tashmë të vështirë në vendin e Azisë Juglindore prej afro 55 milionë banorësh, i cili drejtohet nga ushtria që nga viti 2021.
"Ne jemi duke mobilizuar ekipe dhe mbështetje e ndihmës në të gjithë vendin, duke përfshirë më shumë se 3.5 milionë njerëz të zhvendosur”, theksoi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
Tërmeti me magnitudë 7.7 u ndje në Tajlandë, Indi, Bangladesh, Kinë, Laos. Në Bangkok, autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Kërkimet vijojnë ende nën rrënojat e një pallati 30-katësh në ndërtim e sipër që u shemb nga tërmeti i fortë. Fati i punëtorëve që punonin në objekt është i paqartë.
"Ne kemi ende shpresë. Ne po punojmë pa u lodhur për t'u siguruar që të gjithë të jenë të sigurt. Kemi mjaftueshëm fuqi punëtore, kemi burime të mjaftueshme, por nëse na ofrohet më shumë ndihmë, veçanërisht ndihmë teknologjike, sigurisht që do të jemi të lumtur ta pranojmë", u shpreh zëvendëskryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul.
Tërmeti në Mianmar vjen disa muaj pasi më shumë se 200 njerëz u vranë nga sulmi i tajfunit Yagi, i cili shkaktoi përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu. Qindra mijëra hektarë të mbjella janë shkatërruar.
FITIM KRYEZIU
