Botë

Mianmar, rritet në 1700 numri i viktimave nga tërmeti

31.03.2025 14:12

Është rritur në 1.700 numri i personave që humbën jetën nga tërmeti i para tre ditëve në Mianmar...

Është rritur në 1.700 numri i personave që humbën jetën nga tërmeti i para tre ditëve në Mianmar, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të lënduar. Ekipet e shpëtimit po përpiqen të përdorin makineri të rënda për të tërhequr njerëzit e bllokuar nën rrënoja. Në një operacion të përbashkët shpëtimi prej pesë orësh, ekipet kineze, ruse dhe ekipet lokale, një grua u nxor nga rrënojat pasi ishte bllokuar për 60 orë nën rrënojat e një hoteli në qytetin e Mandalay. Edhe ekipet japoneze të shpëtimit janë përfshirë në kërkimin e të mbijetuarve.
 
“Ekipi e kërkimit planifikon të qëndrojë për rreth dy javë, por me një vlerësim të informacionit më të fundit, ne po përgatitemi të dërgojmë një ekip ndihmash për fatkeqësitë, të përbërë nga ekspertë mjekësor.”, tha Tsutomu Limura nga ekipi i ndihmës në fatkeqësi në Japoni.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri një thirrje urgjente për ndihmë prej 8 milionë dollarësh, për të adresuar pasojat e tërmetit në Mianmar. Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se po vepron në “nivelin më të lartë të emergjencës”. Ajo tha se i nevojiten donacione “për të ofruar kujdes urgjent për të plagosurit, për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve dhe për të rivendosur shërbimet thelbësore shëndetësore gjatë 30 ditëve të ardhshme”. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha, po ashtu, se “shkatërrimi ka qenë i madh” dhe se “nevojat humanitare po rriten çdo orë”. UNICEF po kërkon fonde urgjente për të rritur shpërndarjen e ndihmës.
 
“Ky tërmet është një tjetër goditje brutale për fëmijët në Mianmar. Është një krizë e të gjitha krizave. Më shumë mjete nevojiten urgjentisht për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Ketrin Rasell.
 
Edhe në kryeqytetin e Tajlandës Bangkok, ekipet e shpëtimit me vinça dhe qen të specializuar po vazhdojnë kërkimin për 76 persona që besohet se janë bllokuar nën rrënoja.
 
“Kemi ende shpresa të mëdha. Unë mendoj se do të gjejmë disa njerëz brenda që mbijetuan. Mendoj se duhet të gjejmë shkakun rrënjësor që të paktën të nxjerrim një mësim dhe të përmirësojmë rregulloret e ndërtimit. Por jo sot, jo në këtë orë, le të vazhdojmë me këtë kërkim.”, tha guvernatori i Bangkokut, Çadçart Sitipunt.
 
Banorët e disa ndërtesave në Bangkok u evakuuan për shkak të raportimeve për dridhje dhe çarje që u shfaqën si pasojë e tërmetit të fundit. Evakuime pati edhe nga ndërtesat e kompleksit qeveritar, Ministrinë e Punës dhe gjykata. Tërmeti që goditi Mianmarin në orët e para të së premtes me magnitudë 7.7, përveç viktimave shkaktoi dëme serioze përfshi shkatërrimin e ndërtesave, shembjen e urave dhe bllokimin e rrugëve.
 
REXHEP QAMILI