Maqedoni

Gjendja e pacientëve të lënduar në Koçan, MSh: Pas trajtimit jashtë vendit 6 kthehen në RMV

31.03.2025 14:22

Gjithsej 16 pacientë të lënduar në diskotekën në Koçan aktualisht po mjekohen nëpër spitalet e vendit...

Gjithsej 16 pacientë të lënduar në diskotekën në Koçan aktualisht po mjekohen nëpër spitalet e vendit, ndërsa 83 të tjerë akoma janë në mjekim në spitalet jashtë vendit. Sipas informacioneve të fundit, të gjithë pacientët e hospitalizuar në vendin tonë, janë në gjendje të mirë shëndetësore. Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se brenda ditës së hënë, 6 pacientë nga Serbia dhe Itali pritet të kthehen në vend. 
 
“6 pacientë po kthehen në vend pas trajtimit jashtë shtetit. Pesë prej tyre janë nga Serbia (3 nga Qendra Klinike në Nisht dhe 2 nga Beogradi). Gjithashtu, një pacient po kthehet nga Italia. Ata do të pranohen në institucionet shëndetësore nga ku janë dërguar dhe sipas lëndimeve të tyre. Sa i përket pacientëve të tjerë që ndodhen ende jashtë shtetit, disa prej tyre kanë shënuar përmirësim, ndërsa disa të tjerë mbeten të intubuar dhe në gjendje më të rëndë shëndetësore.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MSh.
 
Dy, prej katër pacientëve të shtruar jashtë shtetit, të cilët janë në gjendje pak më të rënduar shëndetësore, mëngjesin e së hënës është vërejtur një përmirësim i vogël, por kjo ende nuk është e mjaftueshme. 
 
“Tani për tani kemi disa pacientë në gjendje pak më të rënduar, por jemi në komunikim të vazhdueshëm me ekipet mjekësore brenda dhe jashtë shtetit. Deri më tani tek ne janë bërë disa transplantime të lëkurës, ndërsa pacientëve që ndodhen në mjekim jashtë shtetit, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore dhe triazhën e tyre, kur do të kthehen dhe do tu bëjmë kontroll, do të shohim se a do të ketë nevojë atyre t’u nënshtrohen ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale ose rehabilitim shtesë.”. tha drejtori i Klinikës së Traumatologjisë, Igor Merxanovski.
 
Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të monitorojnë nga afër gjendjen shëndetësore, jo vetëm të të lënduarve por edhe atyre që janë lëshuar në trajtim shtëpiak. Në spitalin e Koçanit është në dispozicion edhe një ekip i kirurgëve plastik të cilët kryejnë kontrolle dhe ndrimin e fashave të plagëve dhe atyre u ofrohet kujdesi i duhur mjekësor.
 
REXHEP QAMILI