Maqedoni

Takimi i mundshëm Mickoski – Filipçe, LSDM: Këtë javë sjellim vendim

31.03.2025 15:09

LSDM - nuk ka konkretizuar qëndrimin e tyre lidhur me ofertën e kryeministrit Mickoski për takim tet a tet...

LSDM - nuk ka konkretizuar qëndrimin e tyre lidhur me ofertën e kryeministrit Mickoski për takim tet a tet ku opozita maqedonase do të zbardhte planin e saj për reforma në gjyqësor, shëndetësi dhe arsim. Si do të jenë hapat e mëtutjeshëm të Lidhjes Socialdemokrate do të mësohet këto ditë.
 
“Kryetari Filipçe gjatë kësaj jave do të dalë me qëndrim zyrtar sa i përket kësaj çështjeje.”, tha Metodija Ilievski nga LSDM.
 
VMRO: Kohët serioze duan qasje serioze
 
Nga VMRO ja ripërsëritin se koha është serioze dhe nuk le hapësirë për komentim të deklaratave që u jepen mediave. Kryeministri është në dispozicion ta presë opozitarin e tij Filipçe dhe ky i fundit ta njoftojë për planin reformues, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Siç kemi thënë, kërkesë formale për takim liderësh nuk kemi pranuar. Kohërat janë tejet serioze për të komunikuar dhe komentuar deklarata që jepen nëpër media. Le të pranojmë kërkesë formale dhe për këtë do të kemi qëndrim dhe përgjigje adekuate.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
VMRO-DPMNE dhe LSDM pro komisionit anketues për tragjeditë
 
Opozita maqedonase ndërkohë mbetet në qëndrimin se duhet të formohet komision anketues për Tragjedinë e Koçanit dhe nuk është kontestuese që në komision anketues të shtjellohen rastet tragjike të mëparshme siç kërkon VMRO-DPMNE-ja.
 
“Ne gjithmonë jemi në anën e drejtësisë dhe vlerësojmë se për këtë ka nevojë, që të gjitha rastet të përfundojnë me vendim sipas ligjeve, pa drejtësi selektive.”, tha Metodija Ilievski nga LSDM.
 
“Absolutisht nuk kemi asgjë kundër komisionit anketues të tillë por do ta zgjerojmë me tragjeditë që ndodhën, si ajo me spitalin modular, Llaskarcën, Besa Transin e me radhë, kështu që asgjë s’ka kundër këtu.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Pas tragjedisë së Koçanit nga e marta kuvendi i rikthehet punimeve dhe funksionit të rregullt, seancave plenare dhe komisioneve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU